Të dënuarit në Europë, pa të drejta në Shqipëri
Ministri i Drejtësisë i kërkon kancelarëve të gjykatave buletinet për njohjet e vendimeve të huaja
Nuk figurojnë të dënuar në atdhe dhe u privohet ulja e dënimit e lejet
Shqiptarët e dënuar jashtë vendit, megjithëse vuajnë dënimin në atdhe, nuk figurojnë në listat e zyrave të penalitetit. Denoncimi vjen nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i cili i ka rekomanduar ministrit të Drejtësisë marrjen e masave të menjëhershme për rifreskimin e buletineve të zyrave të Gjendjes Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pasi shumë të dënuarve u mohohen të drejtat që kanë me ligj, si ulja e dënimit apo lejet vjetore. “Pas problemeve me listat penale të personave të dënuar jashtë shtetit, që vuajnë dënimin në Shqipëri, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u ka kërkuar kancelarëve të të gjitha gjykatave në Shqipëri, rifreskim të buletineve”, thanë burimet nga ministria. Sipas tyre, me një shkresë, drejtuar të gjithë kancelarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, i është kërkuar dërgimi menjëherë në Zyrën e Gjendjes Gjyqësore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i të gjitha buletineve të vendimeve penale të dhëna nga gjykatat shqiptare dhe buletinet e vendimeve të njohjes së vendimeve të gjykatave të huaja, qoftë ato të padepozituara në Zyrën e Gjendjes Gjyqësore, pasi kanë marrë formë të prerë dhe ato që do të marrin formë të prerë.
Faktet janë zbuluar nga zyra e Dobjanit, e cila ka rekomanduar analizimin e shkeljes së konstatuar në mosplotësimin dhe mosdërgimin e buletineve të dënimit, në rastet e njohjes së vendimeve të gjykatave të huaja nga gjykatat shqiptare dhe nxjerrjen e një akti nënligjor në të ardhmen. Sipas Avokatit të Popullit, një i dënuar në Fushë-Krujë ka bërë ankesë. Gjykata e Tiranës ka njohur një vendim të Gjykatës së Malmoe, në Suedi.
Ankuesi pretendonte se meqenëse ai ka plotësuar kriteret ligjore për lirim para kohe, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Krujës dhe kjo gjykatë, ndërmjet të tjerave, i ka kërkuar edhe dëshminë e penalitetit. Të afërmit e tij kanë aplikuar, duke kërkuar dëshminë e penalitetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila, me një shkresë, ka lëshuar vërtetimin përkatës. Nga ky vërtetim rezulton se shtetasi V. L., figuron i padënuar në regjistrin e gjendjes gjyqësore. Sipas zyrës së Dobjanit, ankuesi është i dënuar me burg dhe po vuan dënimin penal dhe vuajtja e dënimit duhet të kishte filluar më datën 13 mars 2004. Ky vendim, ndonëse ka marrë formë të prerë më datën 13 mars 2004, nga sekretaria gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk është plotësuar dhe nuk është dërguar buletini i dënimit në Sektorin e Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas Dobjanit, nga sekretaria gjyqësore nuk është plotësuar dhe nuk është dërguar në zyrën e gjendjes gjyqësore të Ministrisë së Drejtësisë buletini i dënimit për shtetasin V. L., siç veprohet edhe për rastet e tjera të gjykimit të zakonshëm. Nga shqyrtimi i ankesës rezultoi gjithashtu se i dënuari i është drejtuar me kërkesë për gjykim për lirim para kohe gjykatës dhe dëshmia e penalitetit nga sektori i gjendjes gjyqësore është lëshuar mbas 3 muajsh e 19 ditë. Kjo vonesë ka ardhur kryesisht nga fakti se sekretaria gjyqësore nuk ka plotësuar dhe nuk ka dërguar në kohë buletinin e dënimit të vendimit të njohjes së vendimit të gjykatës së huaj pasi ai ka marrë formë të prerë. Sipas zyrës së Avokatit të Popullit, probleme të tilla kanë të gjitha gjykatat.
#