Strategjitë dhe shanset zgjedhore të Merkelit dhe Berishës
Nga Ergys Metalia*
Për Gjermaninë është viti 2009 një i ashtuquajtur vit i superzgjedhjeve, pasi në të njëjtin vit zhvillohen zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet presidenciale.
Ashtu si për Gjermaninë është dhe për Shqipërinë, viti 2009 është një vit zgjedhjesh dhe për nga rëndësia mund të quhet edhe ky një vit superzgjedhjesh. Zgjedhjet parlamentare të këtij viti kanë karakterin e një provimi ambivalent. Nga njëra anë këto zgjedhje janë një testim për qeverinë “Berisha”. Me anë të këtyre zgjedhjeve, elektorati ka në dorë të vendosë për vazhdimësinë e politikës së reformave dhe të integrimit të Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare si së fundmi në NATO. Nga ana tjetër, elektorati dhe klasa politike kanë mundësinë të tregojnë kulturë demokratike dhe si rrjedhojë e një tradite politike shtatëmbëdhjetëvjeçare këto dy palë janë në gjendje të mbajnë zgjedhje sipas standardeve evropiane.
Por viti i superzgjedhjeve nuk është ngjashmëria e vetme midis zhvillimeve aktuale politike në Gjermani dhe në Shqipëri. Prej ditësh, shtypi gjerman po komenton intensivisht strategjinë zgjedhore të dy partive politike më të mëdha: të CDU-së dhe SPD-së (Süddeutsche Zeitung e datës 22.04.09). Ndërsa SPD-ja ka shpallur programin zgjedhor dhe e ka përshtatur ndër të tjera edhe me krizën financiare-ekonomike botërore, CDU-ja duket sikur nuk ka ndërmend të paraqesë një program të gjerë zgjedhor. Liderë të CDU-së kanë deklaruar se do të prezantohen vetëm disa parime dhe se fushata elektorale e kësaj partie do të përqendrohet në personin e Kancelares Angela Merkel. Profili zgjedhor i CDU-së do të përqendrohet në sukseset e Kancelares Merkel në fushën e ekonomisë, të ekologjisë, të politikës së jashtme, të zhvillimit teknologjik dhe sidomos në faktin e uljes drastike të papunësisë. Edhe në Shqipëri paraqitet një situatë politike mjaft e ngjashme, ku Partia Socialiste ka prezantuar një program të gjerë zgjedhor të cilin mundohet ta shesë tek elektorati shqiptar si një alternativë më të denjë politike se ajo e Partisë Demokratike, kurse Partia Demokratike nuk e ka shpallur ende një program zgjedhor. Ashtu si dhe CDU-ja gjermane, edhe Partia Demokratike e Shqipërisë do të ndjekë një strategji të personalizuar zgjedhore. Kjo do të thotë që fushata elektorale do të përqendrohet në sukseset e Kryeministrit Berisha në fusha të ndryshme politike. Suksesi i tij më i rëndësishëm shënohet pa diskutim pranimi i Shqipërisë në NATO.
Përveç këtij zhvillimi, Kryeministri Berisha dhe kabinetet e kryesuara prej tij në katër vitet e fundit janë në gjendje të prezantojnë një bilanc pozitiv qeverisës, i cili kulmet e tij i ka në luftën kundër korrupsionit, në reformat e shumta, sidomos ato zgjedhore dhe legjislative. Edhe zhvillimi konstant ekonomik është një shenjë e konsolidimit të ekonomisë shqiptare gjatë katër viteve të fundit. Një strategji e tillë zgjedhore ka anë pozitive, por mbart edhe risqe. Me reduktimin e alternativës politike në një person të vetëm reduktohet disi edhe elektorati potencial. Por nga ana tjetër, duke e thjeshtuar zgjedhjen, nga një program prej 1000 faqesh në një përmbledhje parimesh liberale dhe demokratike, reformash dhe angazhimesh për të ardhmen, Partia Demokratike do të jetë ndoshta në gjendje të bindë më shpejt dhe më shumë votues për alternativën e saj politike. Thjeshtësia e strategjisë zgjedhore vihet re edhe tek motoja zgjedhore “Shqipëria po ndryshon” që fiton më shumë në vlerën e saj me ftesën “Bëhu pjesë e ndryshimit”. Ndërsa CDU-ja gjermane ka akoma kohë për të ndryshuar strategjinë e vet zgjedhore në rast se sondazhet javore përkeqësohen, PD-ja është në një situatë ku çdo vendim është relevant për të ardhmen e saj në spektrin politik. Kur bëhet fjalë për një fushatë zgjedhore të personalizuar, është tepër e rëndësishme që edhe personi në të cilin përqendrohet fushata të udhëheqë në sondazhet me pyetjen: Kush mendoni se duhet ta qeverisë vendin? Angela Merkel arrin dyfishin e votave kundrejt kandidatit të opozitës Frank Walter Steinmeier. Edhe Kryeministri Berisha gjendet në të njëjtën situatë kundrejt Ramës dhe kjo gjë justifikon tërësisht strategjinë zgjedhore të PD-së.
*Autori është doktoruar në Universitetin e Regensburgut, në Gjermani