E Diel, 1 Nëntor 2026

Emiliano Vila: Dua të jem Mesi i Dinamos së Zagrebit

"I hutuar dhe i lodhur". Këtë përshtypje të parë u ka lënë gazetarëve kroatë Emiliano Vila, blerja më e re e Dinamos së Zagrebit, i cili u prezantua dje te kampionët e Kroacisë. Talenti durrsak u shfaq në klub i shoqëruar edhe nga Adrian Kozniku (shqiptar, ish-lojtar i Kombëtares kroate dhe Dinamos së Zagrebit e Rijekën), që do të jetë përkthyesi i tij për një periudhë afatshkurtër. Shiu nuk e ka penguar trajnerin Kruno Jurçiç të zhvillojë seancën stërvitore të radhës, ku ka marrë pjesë edhe Vila. "Unë sinqerisht shpresoj që Vila të ecë mirë këtu, tha Juriç. Dinamo është si një shtëpi për shumë talente të rajonit dhe më gjerë, të cilët i afirmon në futbollin e madh. Atij i duhet të përballet me konkurrencën e fortë për një vend në formacionin e parë. Megjithatë jemi të vetëdijshëm, për faktin se është i ri dhe do t‘i duhet kohë të ambientohet. Ne do të na ketë këtu për ta ndihmuar të kalojë çdo pengesë", ka thënë trajneri Jurçiç. "Ai është një lojtar që luan mirë me topin, është i shpejtë dhe e godet shumë portën, pikërisht njeriu për të cilin kemi nevojë. Është mjaft agresiv në sulm", shtoi Jurçiç. Ndërsa vetë Vila theksoi kënaqësinë e tij për kalimin te Dinamo. "Jam i lumtur të luaj në klubin prej të cilit dolën lojtarë të tillë si Modriç dhe Eduardo. Dinamo është një emër i madh në Shqipëri. Tani më duhet të justifikoj besimin e drejtuesve dhe tifozëve të Dinamos. Pata interesim nga Eintrahti i Frankfurtit (Gjermani) dhe Dniepri (Ukrainë). Ka pasur edhe të tjerë, por këta të dy ishin më të interesuarit". Më pas Vila ka nënvizuar se do të ishte i kënaqur të shndërrohej në Mesi i kësaj skuadre: "Modeli im është Lionel Mesi i Barcelonës". Për sa i përket përballjes së mundshme të skuadrës së tij kroate në Champions me Tiranën, talenti ka pohuar për gazetarët kroatë se "Dinamo e Zagrebit nuk do ta ketë të vështirë ta kalojë turin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›