E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulje emergjence për avionin e Shvarcenegerit

Avioni me të cilin udhëtonte guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, u detyrua dje të kryente ulje emergjence për shkak të tymit që shpërtheu papritmas në kabinën e pilotimit. Pas uljes "së shpejtë, por të sigurt", askush nuk mbeti i lënduar, njoftoi zyra e tij e informacionit përmes një deklarate për mediat. Ish- ylli i filmit, gjithsesi duket se nuk e përjetoi aspak tragjikisht incidentin, pasi vetëm pak çaste më vonë e ndau këtë përvojë me të tjerët në rrjetin social "Twitter". "Një aventurë e vogël, pasi avioni im bëri ulje emergjence. Megjithatë çdo gjë në rregull", shkruante guvernatori. Piloti e ndryshoi drejtimin për në aeroportin e vogël Van Nujs vetëm dhjetë minuta përpara mbërritjes në destinacion, në Santa Monika, u tha reporterëve në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i Shvarcenegerit, Aron MekLiër. "Menjëherë pas uljes, guvernatori u largua nga avioni dhe shkoi në shtëpi", vazhdoi zëdhënësi, duke vërejtur se personazhi kishte bërë "një punë të shkëlqyer" dhe se të gjithë ata që gjendeshin në bord "u ulën nën siguri të plotë e pa asnjë lëndim".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›