E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtare, Lonçareviç trajneri i Tiranës

Ilia Lonçareviç është zyrtarisht trajner i Tiranës. Firma e tij e hedhur e zezë mbi të bardhë në një kontratë njëvjeçare, që do ta lidhë me bardheblutë për edicionin e ardhshëm, ka fshirë çdo pikëpyetje të deritanishme. Tekniku kroat, i cili ka një CV shumë të pasur si në drejtimin e disa klubeve të njohura të Kroacisë si Dinamo e Zagrebit, Rijeka, Osijeku etj., e ka bërë një gjë të tillë në ambientet e klubit pranë stadiumit "Selman Stërmasi".

Menjëherë pas firmosjes së kontratës është bërë prezantimi i tij. Njeriu i cili ka këmbëngulur fort për afrimin e këtij trajneri, kryedonatori Refik Halili, është shfaqur shumë euforik në konferencën e shtypit, kur ka theksuar se "atë që nuk e bëri dot FSHF-ja, e realizoi ai vetë së bashku me donatoren tjetër Ngjela". Numri një i klubit bardhelu i referohet faktit që Lonçareviç ishte mes kandidatëve për të marrë Kombëtaren shqiptare, pas largimit të Ari Han. Edhe vetë kroati nuk ka dashur të ndalet shumë në këtë aspekt, pasi ka preferuar të flasë më shumë për të tashmen: "Kam qenë kandidat për Kombëtaren tuaj, megjithatë jam shumë i kënaqur që jam trajneri i Tiranës. Kjo është një punë që do ta bëj me më shumë qejf dhe dëshirë".

Ashtu sikurse kishim paralajmëruar edhe më parë, Lonçareviç nuk është i panjohur për Halilin dhe këtë e kanë pohuar dje të dyja palët. "Kemi komunikuar edhe vitin e kaluar, por vetëm sot u bë e mundur që ai të pranojë të jetë trajneri i Tiranës", u shpreh Halili. Ndërsa tekniku kroat konfirmoi: "Kam pasur kontakte me zotin Halili që në verën e kaluar, por këtë herë e kisha detyrim moral të thoja ‘Po‘". Pikërisht një vit më parë Halili kishte bërë të ditur se dëshironte të merrte një trajner me mustaqe, i cili kishte drejtuar Libinë dhe që në ato momente punonte tek Osijeku, por i cili i kishte thënë se, "nuk mundem të braktis presidentin e Osijekut në një moment të vështirë, kur ai kërkohet nga Gjykata e Hagës". Ky njeri ishte pikërisht Lonçareviç, i cili më pas i kishte sugjeruar Blash Slishkoviçin, që drejtoi Tiranën në pjesën e parë të edicionit të kaluar.

Pasi ka gjetur një trajner, i cili, sipas mendimit të tij, është i denjë për ta udhëhequr Tiranën drejt sukseseve, "bosi" ka vënë theksin mbi ndërtimin e një skuadre të madhe, e cila mund të dhurojë surpriza edhe në arenën ndërkombëtare. "Ardhja e këtij trajneri është për të formuar një ekip, me të cilin të mund të përfaqësohemi në Champions League me dinjitet dhe për të kaluar më shumë se dy ture, siç kanë bërë deri tani skuadrat shqiptare, nënvizoi Halili. Brenda një jave do të kompletoj ekipin dhe do të nisim fazën përgatitore". Ndërsa 64-vjeçari kroat ka preferuar të jetë i përmbajtur. "Nuk dua të them fjalë të bukura se çfarë do të bëj unë, por shpresoj që në një moment të dy të jemi këtu së bashku me ju për të bërë bilancet e punës, por besoj se do të kem sukses, është shprehur Lonçareviç. Tiranën e njoh nga jashtë, e njoh klubin, ndërsa ekipin e njoh më shumë. Klubin do ta çoj më përpara dhe ju garantoj se loja do të jetë e bukur". Pas emërimit, sot pritet që Lonçareviç të veshë tutat bardheblu dhe të zbresë në stërvitje, ndërsa debutimin në një ndeshje zyrtare ai do ta bëjë në ndeshjet eliminatore të Champions League.

Skeda

Ilija Lonçareviç

Datëlindja 8 tetor 1944

Vendlindja Çajkovcim, Kroaci

Profesioni trajner

Klubi aktual Tirana

Skuadrat

1987-1988 Zagreb

1990-1993 Inker Zapresiç

1994 Marsonia

1994-1995 Zagreb

1995-1996 Slaven Belupo

1997 Orijent Rijeka

1997-1998 Hrvatski Dragovoljac

1999 Kroatia Zagreb

2000 Çakovec

2001-2002 Dinamo Zagreb

2003-2004 Libia

2004-2005 Dinamo Zagreb

2005-2006 Libia

2006-2009 Osijek

2009- KF Tirana


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›