Emra ndahet me Trepçën

Kampioni vjeshtor i Kosovës në futboll, Trepça nga Mitrovica, përfundimisht e ka humbur sulmuesin e saj, Uliks Emra.
Pas Enis Fetahut dhe Arben Zhjeçit, edhe Uliks Emra të mërkurën mbrëma ka refuzuar ta vazhdojë kontratën me skuadrën gjelbër e zi për stinorin pranveror. Sulmuesi prizrenas, tani është në kërkim të një klubi tjetër.
Lajmin e ka konfirmuar për Express vetë Emra, i cili tregoi arsyet pse ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën me “Xehetarët”.
“Unë në muajin nëntor pata arritur marrëveshje me zyrtarët e ‘Trepçës’ rreth kushteve për ta vazhduar kontratën. Mirëpo, kur erdhi koha për ta nënshkruar kontratën, zyrtarët e ‘Trepçës’ i ndryshuan fjalët, normalisht në disfavor timin. Prandaj, vendosa të mos e vazhdojë kontratën, sepse nuk arritëm gjuhë të përbashkët”, deklaroi Emra për Express.
“E falënderoj ‘Torcidën’ për përkrahjen, dhe shokëve të mi iu uroj suksese. Kurse, tani unë do ta gjej një klub tjetër. Jam i lirë dhe i hapur për oferta dhe normalisht se ofertën më të mirë do ta pranoj”, përfundoi sulmuesi këmbëshpejt.