FC Prishtina në Zvicër, për mbrojtje të titullit

FC Prishtina do të niset të shtunën për në Zvicër, ku të nesërmen do të marrë pjesë në turneun e Futsallit, të cilin e organizon klubi zviceran Winterthur.
Bardhekaltër do të jenë me një grup me Aaraun dhe me nikoqirin, Winterthur, në turneun i cili do të ndahet në dy grupe me nga 3 skuadra. Klube të tjera pjesëmarrëse janë edhe Thun, Luzern dhe St. Gallen.
Kryetari i klubit prishtinas, Remzi Ejupi, ka thënë se kjo është një mundësi e mirë për futbollistët, që t’i tregojnë vlerat e tyre. Pikërisht këtij turneu, vitin e kaluar ia patën parë hajrin Isuf Llumnica dhe Visar Berisha, të cilët mbetën në Zvicër për të luajtur.
Drejtori gjeneral i klubit, Edmond Rugova, ka treguar më hollësisht rreth udhëtimit të bardhekaltërve. Sipas tij, FC Prishtina do të udhëtojë të shtunën në ora 9:30 dhe pritet të mbërrijë në Zurich në ora 11:30. Ndërsa, rikthimi i ekspeditës në Kosovë pritet të bëhet të hënën.
Rugova tha se pret paraqitje dinjitoze të ekipit, i cili sipas tij, nuk e përfaqëson vetëm Prishtinën, por edhe të gjithë futbollin kosovar. Trajneri Skënder Shëngyli beson se skuadra e tij do ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar. Prishtinasit ishin fitues të këtij turneu.
“Nuk kam njohuri shumë për këtë turne, por e kam në dorë një ekip që ishte fitues vitin e kaluar. Lojtarët do ta kenë mundësinë ta tregojnë veten dhe do të mundohemi të prezantohemi sa më mirë. Jemi përgatitur mjaft për këtë turne dhe atje shkojmë për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë, edhe pse na mungojnë lojtarët ekspertë të Futsallit. Sidoqoftë, ne besojmë në forcën e futbollistëve”, tha Shëngyli.
Edhe mesfushori Behar Maliqi është optimist se ai dhe bashkëlojtarët, do ta përsërisin suksesin e vitit të kaluar. Për të, ky turne është një mundësi e mirë për futbollistët, që ta ndjekin rrugën e Llumnicës dhe Berishës, të cilët vitin e kaluar mbetën në Zvicër, falë këtij turneu.
Shtyhet miqësorja me Schaffhausenin
Përpos turneut të Winterthurit, prishtinasit patën planifikuar edhe zhvillimin e një ose dy ndeshjeve të tjera miqësore. Kryetari Remzi Ejupi dhe drejtori gjeneral, Edmond Rugova, kanë njoftuar se miqësorja e paraparë me ekipin zviceran Schaffhausen për shkak të motit të keq që po mbretëron atje.
“Ata na njoftuan se moti është i ligë dhe se kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet. Mirëpo, me Schaffhausen do të luajmë në muajt e ardhshëm, ndoshta gjatë verës në Prishtinë. Kishim planifikuar të luanim edhe me një klub gjerman, por edhe kjo ndeshje dështoi për shkak të motit të keq”, thanë krerët e klubit prishtinas.
Skeraj provohet në Koblenz
Trajneri Skënder Shëngyli nuk do të mund të llogarisë në majtakun Agron Skeraj. Sipas tij, futbollisti prizrenas po provohet tek Tus Koblenz - skuadra ku aktivizohet vëllai i tij, Shqipëroni.