Test pozitiv

Në kuadër të programit të Këshillit Profesional dhe përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, të enjten është bërë testimi fizik i futbollistëve që ishin në tubimet e tetorit dhe nëntorit. Testimi i futbollistëve u bë në Kolegjin “Eurosport” në Bardhosh nga ora 10 deri në 17.
Bunjaku ka thënë se pas dy tubimeve të mëhershme, testimi fizik ka qenë i domosdoshëm. Ai u ndihmua nga këshilltari, prof. Marcus Svennson për shtatë orë rresht, duke testuar të gjithë futbollistët prezentë. Selektori kosovar është ndarë i kënaqur me përgatitjen fizike të futbollistëve.
“Futbollistët e Kosovës kanë pasur një rast shumë të mirë që të testohen për aftësitë e tyre fizike edhe pse ne jemi të vetëdijshëm se kjo periudhë, futbollistët nuk i gjen shumë të përgatitur për shkak të pushimit mes dy stinorëve. Megjithëkëtë, këta djelmosha kanë pasur rastin të testohen edhe nën prezencën e profesor Marcus Svennson, i cili ka një përvojë të mirë edhe në Premierligën angleze”, është shprehur përzgjedhësi Bunjaku.
Albert Bunjaku e ka shpalosur edhe planin e tij për vitin 2010. Ai parasheh që në këtë vit të bëjë shtatë tubime, të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA. Nga shtatë këto tubime, njëri ishte ky i testimit fizik, ndërsa tri tjera kanë të bëjnë me zhvillimin e ndeshjeve miqësore. Lidhur me këtë, përzgjedhësi ka theksuar se ndeshjen e parë miqësore për këtë vit, planifikon ta ketë në mars. Më pas ai ka deklaruar se pas këtij testimi fizik, së shpejti do të bëhet edhe përzgjedhja definitive e 22 futbollistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në futboll.
Po ashtu, të enjten u mbajt një seminar për të gjithë trajnerët e futbollit të Kosovës nga ora 18 deri në 21 po në këtë Kolegj, ndërsa ligjërues ishte prof. Marcus Svensson.