Fabrika e golave

Ylli i Liverpoolit, Fernando Torres, synon të shkruajë emrin e tij në histori të klubit, duke shpërthyer në pjesën e dytë të sezonit. Dhjetë ditë më parë me golin e fitores që shënoi në Aston Villa, ai u bë futbollisti i cili më së shpejti ka arritur në kuotën e 50 golave në histori të Liverpoolit. Tani, reprezentuesi spanjoll synon të vazhdojë me gola, duke ngritur ekipin në zonën që siguron kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Torres arriti në kuotën e 50 golave në 72 paraqitje, duke mposhtur për tetë ndeshje rekordin e përbashkët të Albert Stubbins dhe Sam Raybould.
“Është e jashtëzakonshme për mua, sepse Liverpool është njëri prej klubeve më të mëdha dhe më me histori në botë. Të gjithë ata që kanë luajtur këtu janë futbollistë të mëdhenj që kanë rekorde të shkëlqyeshme. Jam para tyre sa i përket golave dhe kjo është njëra prej gjërave më të rëndësishme që kam bërë në karrierën time. Por dua të vazhdoj të thyej rekorde në mënyrë që gjithmonë të jem në histori dhe në kujtimet e njerëzve. Jam duke e bërë punën time”, tha Torres për tabloidin anglez The Sun.
Pavarësisht betejës së tij me lëndimet e vazhdueshme këtë sezon, 25-vjeçari Torres ka realizuar 12 gola në vetëm 14 paraqitje në Premierligë. Por, edhe pse ai synon të arrijë rekorde personale, objektivi kryesor i tij mbetet sjellja e titujve në Anfield pas tre sezoneve pa fituar asgjë. “Dua të shënoj po aq gola sa na nevojiten të arrijmë në pozitën e katërt në Premierligë dhe të fitojmë FA Cup. Kurrë nuk e them numrin e golave që synoj të arrij, por gjithmonë më pëlqen të shënoj më tepër se sezonin paraprak. Shpresoj, që nuk do ta kem aq vështirë sepse kam shënuar 17 sezonin e kaluar”, përfundoi ai.