E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova (V) shet aksione

Kriza financiare me të cilën po ballafaqohet Kosova e Vushtrrisë, i ka detyruar zyrtarët e këtij klubi që t’i vënë në shitje 50 për qind të aksioneve.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i deritanishëm i këtij klubi, Basri Asllani, i cili tani mbetet anëtar i kryesisë, dhe në vend të tij, kryetar është emëruar Fadil Krasniqi.

“Të mërkurën në mbrëmje kryesia e klubit e ka mbajtur një mbledhje, dhe kemi vendosur t’i qesim në shitje 50 për qind të aksioneve, me qëllim që numri i aksionarëve të klubit të rritet, dhe bashkërisht do ta kem më të lehtë mbajtjen e klubit në këtë kohë të vështirë”, deklaroi Asllani për Express.

“Ky vendim ishte zgjedhja e vetme për ta përballuar krizën, sepse askush nuk është duke na ndihmuar. Nuk po na ndihmon as Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, as Ministria e Sportit, as Federata e Futbollit e Kosovës, dhe askush tjetër”, përfundoi Asllani, i cili shpreson se me marrjen e këtij vendimi, do të vijnë ditë më të mira për klubin bardh e kaltër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›