E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i depozitave brenda 3 muajve nga falimenti

21/03/2009  Projektligji i miratuar prej qeverisë nis diskutimin në komisionet parlamentare

Kuvendi ka nisur procedurën e shqyrtimit të ligjit për rritjen e nivelit të depozitave të siguruara nga falimentimi i bankave. Sipas këtij vendimi, qeveria do të marrë përsipër kompensimin e plotë të depozitave deri në 2.5 milionë lekë ose shumën e barabartë në monedhën e huaj.

Rastet

Agjencia kompenson depozitat e siguruara kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar ose kur kjo e fundit likuidohet vullnetarisht. Në ligj thuhet se “Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 (njëzet e pesë) milion lekë. Kompensimi i depozitave fillon menjëherë pasi Agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës”. Ndërkohë në ligjin në fjalë janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur.

Kthimi

Sipas ndryshimeve të bëra, kompensimi përfundon “jo më vonë se tre muaj nga dita e fillimit të procesit të kompensimit. Në raste të jashtëzakonshme kërkohet shtyrja e afatit, por jo më shumë se dy herë me kohëzgjatja 3 muaj secila”. Kompensimi realizohet në një tjetër bankë të siguruar në shumën përkatëse.

Gjithashtu janë përcaktuar dhe rastet kur një subjekt nuk paraqitet në afatet e mësipërme për të tërhequr kompensimin e depozitës nga banka e falimentuar apo që ka shpallur likuidimin. “Me përfundimin e procesit të kompensimit fondi i mbetur i kompensimit nga depozitat e siguruara që u takojnë depozituesve që nuk janë paraqitur për tërheqjen e fondit, transferohen prej Agjencisë në një llogari bankare të veçantë pranë autoritetit mbikëqyrës. Ndërsa depozituesi mund të paraqitet në çdo kohë për të marrë shumën që i takon”, - thuhet në propozimin e qeverisë, i cili ka nisur procedurën parlamentare të miratimit. Ndërkohë si dita e vlerësimit do të jetë dita kur do të bëhet llogaritja e depozitave të siguruara për efekt të llogaritjes së primit.

“Depozitë” do të quhen tepricat kreditore që rezultojnë nga fondet e depozituara në llogari bankare ose në njërën nga gjendjet e përkohshme që rrjedhin nga veprimet e zakonshme bankare dhe që banka duhet të ripaguajë sipas dispozitave të një kontrate apo të zbatimit të ligjit.

Çdo detyrim i vërtetuar nëpërmjet një dokumenti apo vërtetimi të lëshuar nga banka ose dega e bankës së huaj. Çdo shumë parash që anëtari i shoqërisë së kursim-kreditit depoziton pranë saj apo vetë shoqëria depoziton pranë unionit, apo detyrimet e mbetura.

Të njoftohen bankat

Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit ASD-ja duhet të njoftojë të gjitha bankat apo kompanitë e tjera për ndryshimet në ligj si dhe për detyrimet që lindin prej tij.

Ndërkohë autoriteti mbikëqyrës do të ketë detyra më të rrepta ndaj bankave, duke marrë dhe kompetenca për të ndërhyrë, në rast se vërehen shkelje apo problem. “Autoriteti gjithashtu mundet që të urdhërojë bankën e siguruar për pushimin e menjëhershëm të veprimeve, të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese. Ai urdhëron bankën e siguruar që t’i paguajë Agjencisë fitimin e munguar për mospagimin në kohë të kontributit të primit”, - thuhet në vendimin e marrë. Ndërkohë që matja prej këshillit duket se do të jenë bilancet e vetë bankave, situata financiare apo dhe manipulimi i të dhënave që mund t’u ofrohen klientëve, duke fshehur situatën apo duke mos dhënë sqarimet e duhura për depozitat apo veprimet e kredidhënieve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›