E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata e Bathores: Më 30 prill do të jemi në protestë, Berisha na zhgënjeu



TIRANË - Shoqata për lëvizjen e lirë dhe integrim e Bathores do t’i bashkohet protestës së organizuar nga opozita në datën 30 prill. Drejtues të kësaj shoqate u shprehën dje për gazetën “Albania” se ishin të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura nga qeveria “Berisha” dhe se nuk kishin ndër mend të vazhdonin të heshtnin. “Berisha kur erdhi dhe na kërkoi votën, na bëri një sërë premtimesh ne banorëve të Bathores, mirëpo ndërsa kanë kaluar gjithë këto muaj, asnjë prej tyre nuk mbajti. Kjo protestë duhej bërë me kohë, prandaj edhe ne, më 30 prill do t’i kërkojmë llogari qeverisë për premtimet e pambajtura”. Kështu u shpreh Shemsi Shehu, një nga anëtarët e kësaj shoqate. Sipas tij, zhgënjimi më i madh i banorëve të Bathores mbetet procesi i legalizimit. Berisha u ka premtuar atyre se ky proces do të përfundojë brenda një kohe shumë të shkurtër, mirëpo shtëpitë e tyre vazhdojnë të jenë të palegalizuara. “Berisha po legalizon çdo ditë shtëpitë dhe fshatrat turistike të politikanëve, nuk pyet më për popullin e thjeshtë”, - shprehet Shehu. Sipas tij, të gjitha argumentet e ngritura nga opozita,për papunësinë, për shtrenjtimin e energjisë dhe rrënimin ekonomik qëndrojnë, prandaj dhe do t’i bashkohen protestës.

29 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›