I merr burrin, 39-vjeçarja i hedh acid në fytyrë
POGRADEC - Nëna dhe e bija kanë vendosur që të hakmerren në një mënyrë të veçantë ndaj gruas që i kishte marrë burrin dhe vajzës babanë. Lidhja jashtëmartesore i ka kushtuar shtrenjtë një 27-vjeçareje nga qyteti i Pogradecit. Fytyra e 27-vjeçares me iniciale A. LL. ka pësuar deformime dhe lëndime të shumta, pasi bashkëshortja e personit me të cilën 27-vjeçarja kishte një lidhje intime dhe bashkëjetonin i ka hedhur acid në fytyrë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Lin të Pogradecit, kur gruaja 39-vjeçare A. Avdullari, e shoqëruar nga vajza e saj e mitur, 17-vjeçarja I. Avdullari, kanë shkuar në shtëpinë ku bashkëjetonte ish-bashkëshorti i saj me 27-vjeçaren. Duke përfituar nga fakti që e reja ishte vetëm, gruaja dhe vajza e saj e kanë dhunuar atë fizikisht me mjete të forta dhe më pas i kanë hedhur acid në fytyrë duke i shkaktuar lëndime të mëdha.
Incidenti
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në banesën ku jetonte viktima dhe ish-bashkëshorti i gruas që është vënë në hetim. Kanë qenë fqinjët e 27-vjeçares që kanë dëgjuar sherrin dhe e kanë gjetur atë në gjendje të rëndë në shtëpi. Menjëherë e kanë dërguar atë në Spitalin rajonal të Pogradecit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kur 27-vjeçarja ka mbërritur për t’u kuruar, bluzat e bardha kanë njoftuar policinë. Këta të fundit kanë shkuar në ambientet e spitalit dhe kanë marrë në pyetje të renë, pasi ka marrë ndihëm e mjekëve. Vajza e dëmtuar ka treguar për policinë se ishte në banesën e saj kur ka ardhur 39-vjeçarja së bashku me vajzën e saj. Pasi kanë hyrë brenda kishte filluar dhe debati mes tri femrave. Gjithçka kishte të bënte me lidhjen e saj me bashkëshortin e A. Avdullarit. Por debati ka precipituar dhe mes tri femrave ka nisur sherri. Ata janë përleshur mes tyre, por më të forta kanë dalë e ëma me të bijën, që e kanë dhunuar 27-vjeçaren A. Ll. Por nuk është mbyllur gjithçka këtu. Dy femrat që i kishin shkuar në shtëpi viktimës së tyre, kanë nxjerrë një shishe acid nga çanta dhe ia kanë hedhur në fytyrë së resë duke e dëmtuar shumë. Në këtë kohë dhe fqinjët kanë dëgjuar për zënkën dhe kanë shkuar në banesën e saj, por dy agresoret ishin larguar.
Policia
Të informuar për ngjarjen nga ana e mjekëve të spitalit dhe pas marrjes së dëshmisë së të plagosurës, uniformat blu janë vënë në kërkim të gruas 39-vjeçare dhe vajzës së saj. Siç mësohet nga policia, ato janë gjetur në banesën e tyre. Menjëherë janë shoqëruar për në Komisariatin e Pogradecit, ku dhe janë marrë në pyetje për këtë ngjarje. Ata kanë dhënë versionin e tyre dhe sipas të dhënave, sherri e kishin bërë si hakmarrje ndaj të vajzës së re, pasi u kishte marrë burrin dhe babanë. Të ndodhur në këtë situatë, policia ka ngritur akuzat e “plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim” dhe “dhunim banese”. Hetimet ndaj dy femrave po zhvillohen në gjendje të lirë, thanë burimet zyrtare të Policisë së Pogradecit.
E pazakontë
Avokatja kërkon si dëshmitar një të vdekur
TIRANË - E pazakontë në Gjykatën e Krimeve të Rënda: avokatja kërkon dëshmitar një të vdekur. Kërkesa është bërë në seancën gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Fotaq Zaharia, kur mbrojtësja e tij, Valentina Teodoresku, i ka kërkuar trupit gjykues të kryesuar gjyqtarja Nertina Kosova, thirrjen si dëshmitar të Lefter Leshit, tashmë i vdekur. “I vetmi që e ka parë Fotaqin ka qenë Leshi, që ka vdekur. Ta sjellë prokurori e ta pyesim”, - u shpreh dje avokatja Teodoresku. Ky fakt ka habitur trupin gjykues, i cili e ka marrë kërkesën e avokates me të qeshur. Gjatë seancës së djeshme ka dëshmuar dy bashkëshortët Jaku, të cilët u grabitën në banesën e tyre nga i pandehuri Zaharia. Marjana Janku, gruaja me origjinë zvicerane, ka treguar dje momentin që gjeti maskat në banesë e deri në pengmarrjen e saj kundrejt shumës prej 50 milionë lekësh. “Në nëntor të vitit 2001 kam jetuar në fshatin Poro të Vlorës. E kisha vajzën 2 vjeç e gjysmë. Atë natë vajza po më qante, e kam marrë në krah dhe kam shkuar në kuzhinë për t’i bërë qumështin. Kam parë dy persona me maska që më thanë ‘mos fol’. Më pyetën se ku e kisha burrin. I çova të dhoma e gjymit. I shkreti u çua e i pa. Na kërkuan lekë”, - ka nisur të tregojë dëshmitarja Janku. Sipas saj, dy grabitësit, të cilët kanë qenë të veshur me xhupa të mëdhenj, ku në xhepat e tyre kishte edhe granata dhe u dukej një armë me silenciator, janë habitur që në banesën e çiftit Janku nuk kishte të holla. “Burrin ma lidhën me pranga. Unë u ula në krevat dhe në krahë kisha vajzën, ndërsa dy fëmijët e tjerë i kisha të dhoma tjetër. Komunikuam më zë normal. Kontrolluan shtëpinë, që zgjati më shumë se gjysmë ore. Morën më pak se 500 mijë lekë, celularin e burrit, armën e tij të gjahut që e kishte me leje si dhe veshjet lara-lara”, - vazhdoi më tej dëshmitarja. Sipas dëshmitares, maskat kanë biseduar me burrin e saj, të cilin donin që ta merrnin me vete, por më pas kishin ndryshuar mendje duke kërkuar gruan e tij. Ata i kishin venë kusht që të nesërmen duhet t’u sillte 50 milionë lekë, ndërsa bashkëshorten e tij nuk do ta preknin. Maskat, pasi kishin lidhur Sokol Jankun me natriban, kanë marrë makinën e tyre që ndodhej në garazh. Madje ata i kanë kërkuar gruas të merrte me vetë gjithçka që i nevojitej. Gruaja në ato momente ka marrë një biçak që ia ka dhënë fshehurazi bashkëshortit të saj. Pas këtij veprimi njëri prej maskave ka qëndruar në banesë, ndërsa tjetri është larguar bashkë me gruan. Kur kanë ikur një copë rruge të fshatit makina ka qëndruar dhe nga pas mësohet se ka ardhur maska tjetër. Por në krye të rrugës makinës që mbante peng gruan i ka dalë policia, e cila ka qëlluar në drejtim të makinës.
29 Prill 2010