Emrat e të akuzuarve për “kriminelë lufte”, të cilëve iu sekuestruan pronat
Nush Bushati
Në komisionin e Tiranës u bë konfiskimi i pasurisë së Nush Bushatit “kriminel lufte”, i cili ishte larguar nga Shqipëria së bashku me gruan e tij, Hansi. Në arkiva janë të shënuara: një shtëpi në lagjen “Xhami Sherif” (“9 korriku”), truall në Tiranën e Re, me 1104 m2, transkriptuar më 6 tetor 1942, të cilën ia kishte dhënë me qira Gilio Leudisios më 16 mars 1943. Gjithashtu, shumë pasuri e tundshme dhe 6100 franga shqiptare në bankë (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 42). Në dokumentet arkivore është shënuar edhe një shtëpi në rrugën “Budi”.
Ndoc Naraçit i lihen dy karrige kashte
Ndoc Naraçi ishte shpallur nga regjimi komunist “kriminel lufte, armik i popullit”. Komisioni i Tiranës i mori të gjithë pasurinë Naraçit, duke i lënë të shoqes vetëm 2 karrige kashte të zeza dhe një tavolinë mesi. Po ashtu, u konfiskuan edhe 1200 m2 truall (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 38).
Fejzi Alizoti
Komisioni vendosi më 6 maj 1947 për konfiskimin e pronës së Alizotit, e cila përfshin: një truall 1110 m2 në Tiranën e Re, 1 parcelë-truall 413 m2 në lagjen “11 Janari” dhe 2 troje në Rrugën e Kavajës, një shtëpi 2-katëshe që i kishin mbetur të padjegura vetëm 2 dhoma, 1 banjë dhe një dhomë e një kuzhinë. Në listën e sekuestros janë të përfshira edhe pasuri e tundshme; 10 mijë franga shqiptare. Komisioni refuzoi kërkesat e Hasan Alizotit dhe Safete Demir Alizotit për rishikimin e vendimit; (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 42). Shtëpia prej 9 dhomash ishte sekuestruar në shkurt 1945 (AQSH, F.505, V.1945, D.187, fleta 63).
Sekuestrime të tjera
Shyqyri Borshit i konfiskohet pasuria më 31 maj 1947. Ai kishte të regjistruar në pronën e tij një truall në Tiranën e Re, 677 m2. Atij i ishin hequr 6 aksionet që kishte në kompaninë SITA. Mes të ndëshkuarve është edhe Xhevat Korça. Më 31 maj 1947, shteti komunist i mori një parcelë 884 m2. Kryeministria kërkonte më 10 gusht 1947 paraqitjen e relacioneve të kryera për kriteret e konfiskimeve.
Muharrem Bajraktari
Më 9 qershor 1947, Komisioni i Prefekturës së Kukësit ekzekutoi urdhër-shpronësimet, të cilat përfshijnë 7 zëra shpronësimesh, 6 shtëpi e një kullotë në mal. Një pjesë e vogël e pronës iu la familjes (AQSH, F.505, V.1947, D.187, fleta 214).
Idhomeno Kosturi
Idhomeno Kosturit i konfiskohet pasuria nga Komisioni i Durrësit më 21 qershor 1947. Ajo përfshin: shtëpi, truall, dyqan, truall, shtëpi me 20 dhoma, kopsht, një arë, kopsht e shtëpi me 4 dhoma, shtëpi, ndërtesa e pemishte (10 zëra shpronësimi) edhe një ndërtesë shkolle që i ishte dhuruar shtetit. U refuzuan kërkesat e bëra nga bashkëshortja e tij, Tiofani (AQSH, F.505, V.1947, D.308)
Më 28 qershor 1947, komisioni vendor i Durrësit harton raportin përkatës, ku flitej se komisioni përbëhej prej 1 anëtar i Frontit dhe 1 anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Thuhet se opinioni i popullit ishte i mirë dhe se tregtarët po blinin sendet e tyre që kishjin dalë në ankand (AQSH, F.490, V.1947, D.99, fleta 16).
Kristo Floqi
Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës Tiranë për Kristo Floqin më 7 korrik 1947 i propozoi Ministrisë së Financave nxjerrjen e vendimit për shtetëzimin e pasurisë së ish-funksionarit të shtetit zogist. Ato përfshijnë: 2 shtëpi në Tiranë, pikërisht në lagjen “Abdulla Bej”, e transkriptuar më 11 gusht 1931 dhe më 26 mars 1929; një shtëpi e kopsht në lagjen “Ismail Efendi”, e transkriptuar më 15 qershor 1926. (AQSH, F.505, V.1947, D.635, fleta 12). Ministria e Financave vendosi shtetëzimin e tyre më 7 shkurt 1949.
Jakup Shalsi
Gjykata Ushtarake kishte dhënë vendimin për sekuestrimin e të gjithë pasurisë së Jakup Shalsit, i akuzuar për bashkëpunim si kolaboracionist. Me urdhër të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i publikuar në fletoren zyrtare më 29 03 1946, përcaktohet e gjithë prona që do të shtetëzohej. Në listën e pasurisë së sekuestruar përfshihen objekte dhe prona të disa kompanive në rrethet e Durrësit, Tiranës, Fierit, Beratit, Kuçovës dhe vende të tjera. Mes tyre përmenden hotel “Dejdogji” (deri pak kohë më parë, hotel “Iliria” në zonën e Vollgës dhe hotel Kontinental, si dhe llogaritë bankare dhe pasuritë e 6 firmave shqiptare apo shqiptaro-italiane që kishin kryer aktivitetin e tyre deri në fund të vitit 1944.
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Vajza e Jakup Shalsit: “Si u abuzua me pronat e familjes sime”
Dallëndyshe Shalsi flet për gazetën rreth shtetëzimit të pronave në vitet 1945 dhe 1946
Fati i rreth 75 pasurive dhe llogarive bankare në Perëndim gjatë kohës së komunizmit
Akuzat e Shalsit për tjetërsim të pronave pas vitit 1992 dhe falsifikime në hipoketa
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
28 Nentor 2008