“Heshtja e Lornës” çel siparin e Festivalit të Filmit të Tiranës
Petrika GROSI
Me shfaqjen e tij më 1 dhjetor në ekranin e kinemasë “Imperial” në kryeqytet, “Heshtja e Lornës” (filmi fitues i Festivalit të Kanës) do të çelë edicionin e sivjetshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Tiranës (TIFF ’08). Lajmin e bën të ditur zyra e shtypit e këtij festivali, e cila pohon se e pranishme në projektimin e filmit “Heshtja e Lornës” do të jetë edhe artistja shqiptare Arta Dobroshi, e cila ka një rol në pelikulën me regji të vëllezërve Dardene. Pas problemeve që pati vitin e kaluar me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në lidhje me mosmbështetjen e festivalit të filmit, këtë vit, TIFF, sikurse publikon në uebsajtin e tij, gëzon mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografsë. Megjithëse jemi vetëm pak ditë para nisjes së këtij festivali për 2008-n, ende nuk janë bërë të ditur filmat që do të marrin pjesë në garim dhe gjeografia e vendeve pjesëmarrëse. Urojmë që ky festival të ketë suksesin e edicioneve të mëparshme, ku nuk kanë munguar emra të njohur të kinemasë botërore si Franko Nero etj.
28 Nentor 2008