E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orikum, përleshje në shesh për pronat

Degjeneron në dhunë të ndërsjellë mes policisë dhe qytetarëve protesta e ish-punëtorëve të Ndërmarrjes Bujqësore në Orikum. Debati i nisur prej së martës në mëngjes pas mbërritjes së forcave të policisë në qytezën e Orikumit, ka përfunduar dje me shoqërimin e disa prej protestuesve dhe shtrimin në spital të një të moshuare.

Mëngjesin e së mërkurës, dhjetëra protestues kanë tentuar të bllokojnë punimet në vendin ku po ndërtohet një pallat shumëkatësh, por përballë tyre ka qëndruar një kordon i policisë, i cili ka pasur për detyrë ruajtjen e kantierit të ndërtimit. Pas disa tentativave për të hyrë brenda kordonit të uniformave blu, banorët kanë bllokuar aksin kryesor të qytezës së Orikumit, duke mos lejuar dhe automjetet e tjera që të kalonin përgjatë aksit. Rreth orës 12:30, protestuesit e kanë liruar rrugën dhe një pjesë e tyre i është drejtuar rrethimit metalik, ku po kryheshin punime.

Gjatë përpjekjes për ta rrëzuar rrethimin, kanë ndërhyrë efektivët e policisë, të cilët tentuan të mos lejonin dëmtimin e pronës private, por situata u acarua jashtë mase, pasi të dyja palët filluan të godisnin njëri-tjetrin. Protestuesit kanë qëlluar me mjete të forta mbi furgonin e policisë, duke thyer xhamat. Në këtë kohë, uniformat blu janë kundërpërgjigjur, duke ushtruar dhunë mbi protestuesit dhe për pasojë një e moshuar është çuar në spitalin rajonal të Vlorës, për shkak të plagëve të marra. Ndërkohë, nga policia janë shoqëruar për në komisariatin e qytetit të Vlorës disa prej protestuesve, të cilët janë lënë të lirë pas disa orësh.

Protestat e ish-punonjësve të Ndërmarrjes Bujqësore Rinia në Orikum kanë nisur pas pretendimit të tyre se janë pronarë të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, të cilët e kanë përfituar në bazë të Ligjit nr. 7501 për tokën bujqësore. Por në këtë tokë është dhënë leja për ndërtimin e një pallati, pasi sipërfaqja u është njohur personave të tjerë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo ka ngjallur reagimin e ashpër të banorëve të Orikumit. Disa javë më parë ata nuk lejuan përreth dy orë nëpunësit e bashkisë së qytetit që të hynin në zyrat e tyre, ndërkohë që prej disa ditësh kanë tentuar bllokimin e punimeve të firmës ndërtuese. Sipas tyre nuk është vetëm ky abuzim i bërë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por tokat që sikur kanë qenë ujë dhe shkurre sot janë të regjistruara në kategorinë e arave.

Sipas protestuesve, rreth 400 persona, ish-punonjës të ndërmarrjes bujqësore, kanë përfituar tokë në përdorim sipas Ligjit 7501, pas prishjes se kësaj ndërmarrjeje. Por, edhe pse është kërkuar shumë herë që kjo tokë t‘u jepet në pronësi, ashtu siç është vepruar në zonën e Radhimës, Dukatit dhe Tragjasit, kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›