Prefektja: Ka abuzime me ndihmën ekonomike
Prefektja e Gjirokastrës, Mimoza Çomo, shprehu dje shqetësimet e saj lidhur me disa abuzime të vërejtura në punën e strukturave të qeverisjes vendore dhe nëpunësve të disa komunave në Jug të vendit, të cilët jo vetëm që qëllimisht nuk kanë dërguar në kohën e duhur pranë Prefektit vendimet e marra nga të zgjedhurit lokalë, por edhe kanë abuzuar në disa raste hapur me të drejtën e shpërndarjes së të ardhurave. Prefektja e Gjirokastrës bëri të ditur se nga 2100 familje që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike në 32 njësitë vendore të prefekturës, rreth 240 nuk plotësojnë kushtet. Mimoza Çomo tha se gjatë kontrollit që ka ushtruar prefektura gjatë periudhës janar-shtator ka rezultuar se kanë përfituar ndihmë ekonomike mesatarisht 2100 familje, ndërkohë 240 familje përfitojnë përkrahje sociale të paargumentuar dhe ky fenomen shoqërohet jo vetëm me dëm ekonomik, por fondet e akorduara nga buxheti i shtetit nuk shkojnë plotësisht në destinacionin e duhur. "Institucioni që unë drejtoj nuk do të tolerojë asnjë njësi të qeverisjes vendore që objektivat e qeverisë shqiptare për të zbutur varfërinë të mos orientohen drejt segmenteve me të varfra dhe më të pambrojtura të shoqërisë", tha Çomo.
e.s.
e.s.