"Emri", Klaus: Maqedonia të negociojë me Greqinë

Maqedonia dhe Greqia duhet të negociojnë për çështjen e emrit dhe jo të presin që ajo të vijë nga jashtë. Kështu është shprehur Presidenti çek Vacllav Klaus gjatë një vizite në Shkup. Në një takim që presidenti çek pati me homologun e tij Gjorgje Ivanov, Klaus është shprehur se dy palët duhet të arrijnë një kompromis dhe jo të presin për një zgjidhje të imponuar.
"Nuk mund të arrihet një zgjidhje nga jashtë, me të cilën qytetarët e dy shteteve nuk do të binin dakord. Unë them të negociohet, pasi të presësh shpëtim nga qielli është e pamundur", ka deklaruar Klaus.
Gjithashtu presidenti maqedonas Ivanov u shpreh i gatshëm për një kompromis që nuk cënon identitetin e Maqedonisë.