E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjoba për parkimet e gabuara, asnjë tabelë informuese

15/05/2005  Ligjërisht, Bashkia nuk ka të drejtë të vendosë gjobë, përderisa nuk vënë më parë tabelë

Prej dy javësh ka nisur aplikimi i gjobave për parkimet jashtë rregullave. Por janë shumë të pakta vendet ku ka një tabelë, parkim publik apo parkim privat. Shoferët e makinave shprehen se është antiligjore, përderisa Bashkia nuk ka vendosur një tabelë, këtu nuk lejohet parkimi, këtu është parkim për institucionet, ky është parkim publik.

30 deri 40 gjoba në ditë

“Përderisa Bashkia nuk ka plotësuar as rregullat e saj, nuk ka të drejtë as të vendosë gjoba”, shprehet Agim Malaj. Me anë të një leve, punonjësit e Policisë Bashkiake bllokojnë një nga rrotat e parme të makinës, dhe drejtuesi nuk mund të marrë makinën e tij, derisa të shkojë për të paguar gjobën. Bashkia ka bërë një studim, sipas të cilit, Tirana ndahet në tri zona, një periferi, ku gjoba është 2 mijë lekë të reja brenda Unazës dhe, qendra, ku gjoba është 5 mijë lekë të reja. Numri i gjobave që aplikojnë është 30 deri 40 në ditë.

Dy herë gjobë

Një qytetar dje mori dy herë gjobën nga Bashkia dhe një tjetër nga Policia e Qarkullimit Rrugor. Ai nuk dinte ku të ankohej për këtë shkelje. I vetmi vend ku mund të shkonte ishte Drejtoria e Policisë. Ligjërisht i lejohet dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Bashkisë që të vendosë gjobë, nëse je në parkim të paligjshëm. “Kur shohim që nuk ka vënë gjobë Qarkullimi Rrugor, vëmë ne, nëse e kanë gjobitur ata, ne nuk vendosim një gjobë të dytë”, ka thënë drejtori i Policisë Bashkiake, Ndrec Deda.

Policia Bashkiake, gjobë 10 herë më të lartë

Po sipas ligjit për të njëjtën shkelje, Policia e Qarkullimit Rrugor vendosë gjoba disa herë më të ulëta, nga 200 lekë të reja deri 1 mijë lekë të reja, ndërkohë që Bashkia i ka nga 2 mijë deri 5 mijë lekë të reja.

Cilat janë detyrat e Policisë Bashkiake

Policia Bashkiake ka për detyrë të marrë masa për ruajtjen e pasurive të Bashkisë, si dhe atyre që administrohen prej saj. Në faqen on-line të Bashkisë së Tiranës, pas rreshtimit të një sërë detyrash të kësaj Policie, ku përmendet gjithçka, por jo parkimet, të specifikuara në një paragraf të fundit, flitet dhe mbi gjobat. “Për shkeljet e vërejtura, punonjësit e Policisë Bashkiake kanë të drejtë të gjobisin në vend personat përgjegjës në masën 500 deri në 5000 lekë. Kundërvajtësit janë të detyruar ta paguajnë gjobën brenda 5 ditëve nga data e dhënies. Për çdo ditë vonesë, gjoba paguhet me kamatë 2 për qind. Me kalimin e afatit njëmujor, gjoba vilet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”, thuhet në faqen on-line të Bashkisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›