E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sami Frashëri mes konfuzionit hënor turk

15/05/2005  Botimi në shqip i monografisë “Sami Frashëri” i turkulogut të njohur Agah Sirri Levend, botimet “Dituria”, përkthyer nga Genciana Abazi-Egro, është një përpjekje për të hedhur një urë njohjeje ndërmjet studimeve shqiptare dhe turke; Kjo monografi, e cila është vepra më e plotë mbi Sami Frashërin, e shkruar deri më sot në historiografinë turke, në botën shqiptare të librit sjell një këndvështrim dhe një frymë krejt tjetër

Në Turqi jeta kulturore moderne fillon pas Tanzimatit. Kjo kulturë e re perëndimore u përball me reagime të ashpra, për shkak se mbështetej mbi norma të huaja dhe tronditi nga themelet një kulturë tjetër, rrënjët e së cilë s’kishin depërtuar shumë thellë. Në të vërtetë, në këtë periudhë, kultura lindore e kishte humbur ndikimin e saj. Brezi i ri nuk po mjaftohej më vetëm me mendimet e vjetra të shkencave skolastike, por po kërkonte edhe të vërteta të reja. Mirëpo shoqëria turke nuk ishte ende e aftë që ta konceptonte këtë realitet. Ajo për gjatë shekujve ishte lënë në injorancë, duke mbetur shumë pas në kohë. Prandaj dhe përhapja e kulturës perëndimore nuk ishte fare e lehtë.

Përhapësit e kësaj kulture ishin të detyruar të luftonin dhe të merrnin parasysh rreziqe të panumërta; u ndeshën me lloj-lloj pengesash, përballë qëndronin konservatorët, përfaqësues të fortë të të vjetrës dhe saraji osman, i cili i konsideronte armiq. Duhej luftuar e përpjekur në të gjithë këto nivele. Intelektualët e periudhës së Tanzimatit luajtën një rol shumë të madh në këtë drejtim.

Falë përpjekjeve të ithtarëve të Tanzimatit, u mundësua krijimi i gazetarisë, e cila solli dhe parashtrimin e guximshëm të pikëpamjeve të shumëllojshme; u lançua koncepti popull dhe bashkë me të, si objektiv kryesor u përcaktua të qenurit i dobishëm për shoqërinë; u godit letërsia dhe gjuha e vjetër turke dhe filloi lëvrimi i zhanreve të reja letrare, si dhe u hap një periudhë e re debatesh të zjarrta. Kujtojmë me respekt sakrificat e bëra nga Shinasiu, Namik Qemali, Zija Pasha, Ali Suavi.

Vitet e fundit të mbretërimit të Abdylazizit dhe periudha e sundimtarit të Abdylhamitit, janë vitet më të errëta dhe të vështira të Tanzimatit dhe një vazhdim i tij nën trysni. Por, megjithëse ekzistonte një situatë e tillë, hapjet në fushën e kulturës qenë shumë të gjera dhe të frytshme. Intelektualët e frontit të parë u sulmuan nga konservatorët, ndaj tyre u ushtrua presion, madje u morën edhe nën arrest nga saraji.

Sami Frashëri ishte një ndër këta pionierë. 34 vjet të jetës së tij 54-vjeçare i ka kaluar duke i shërbyer popullit turk. Ai është autor i veprave, përgatitja e të cilave mund të realizohet vetëm nga një institucion i fuqishëm akademik, është përpjekur pa u lodhur, ka sjellë risi në gjuhësi e letërsi, duke ndihmuar në zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të epokës së hapur nga Tanzimati. Përveç kësaj, edhenë jetën private ai e kishte bërë parim punën e rregullt dhe të jetuarit si njeri.

Këtë e zbatoi edhe në shtëpi, duke u bërë shembull si për familjen, ashtu dhe për fëmijët.

Jeta e Sami Frashërit dhe veprat e gjithë jetës së tij, të përgatitura për të qenë të dobishme për popullin turk, hedhin dritë mbi periudhën më interesante të historisë së kulturës turke. Prandaj studimi i jetës së Sami Frashërit, i veprave të tij dhe kujtimet mbi të, parashtrojnë një etapë të rëndësishme të historisë së letërsisë turke, duke përmbushur njëkohësisht një detyrë të vonuar.

***

Burimi i parë mbi Sami Frashërin janë letrat që ai vetë ia ka dërguar Ahmet Ihsanit, pronarit të revistës “Thesari i dijeve”. Në këtë letër të botuar në këtë revistë më 1896, Sami Frashëri krahas jetëshkrimit, rendit edhe veprat e tij. Në të vërtetë, libri “Sami Frashëri” i autorit Ismail Haki, ishte botuar më 1893 përpara këtyre letrave.

Mirëpo në këtë libër është bërë fjalë vetëm për pjesët teatrale të shkruara nga Samiu dhe është ndalur kryesisht mbi dramën “Besa”, prandaj nuk mund të konsiderohet si një burim i mirëfilltë biografik.

Ndër veprat e shkruara mbi Sami Frashërin, pas vdekjes së tij si burime të para të natyrës biografike, janë “Leksionet e historisë së letërsisë”, të Ibrahim Nexhmi botuar më 1920, “Viti turk” i Jusuf Akçurës botuar më 1928, “Sami Frashëri” i Nexhip Asimit, “Revista e komisisë turke të historisë” 1929, “Sami Frashëri” i Hiqmet Turhan Daglleogllu, botuar më 1934, dhe seria e artikujve në gazetën “Aksham” nga Hiqmet Feridun Es, në dhjetor 1944 dhe janar 1945.

Në këto punime, më të vlefshmet dhe më sqarueset janë shkrimi i Jusuf Akçurës i mbështetur në letrën e marrë nga djali i Sami Frashërit, Ali Samiu, libri i Nexhip Asimit, i cili e ka njohur vetë personalisht nga afër Samiun, libri i Hiqmet Turhan Dagllëogllusë, i bazuar mbi shumë dokumente të marra nga i biri i Samiut, si dhe artikujt e Hiqmet Feridun Esit, i cili ka bashkëpunuar me të bijën e Samiut, zonjën Samije.

Mirëpo në këto shkrime, vende-vende ka kontradikta. Këto kanë ndodhur nga që autorët të dhënat i kanë hedhur në letër pa i verifikuar më parë. Ndër kundërshtitë kryesore është mospërputhja e datave. Ky mospërkim vjen ngaqë i është besuar datave të treguara në burime dhe nuk është kryer një studim i veçantë verifikues.

Një faktor tjetër që ka sjellë konfuzionin e datave, ka qenë ngatërrimi me njëri-tjetrin i kalendarit Julian me atë Hixhri (hënor).

Në punimet e tyre, disa autorë kanë përdorur si kalendarin Jualian, ashtu edhe atë Hixhri, e ç’është më e keqja nuk kanë vënë shënimet përkatëse që tregojnë llojin e kalendarit, të cilit i janë referuar. Kjo mangësi vihet re edhe në vetë artikujt e Sami Frashërit. P.sh., Sami Frashëri në letrën botuar në revistën “Thesari i dijeve” si vit të ardhjes në Stamboll, ka dhënë 1288, pa përcaktuar llojin e kalendarit d.m.th. Julian apo Hixhri. Ne, duke krahasuar këtë datë me të dhënat e tjera, përcaktuam se bëhet fjalë për kalendarin Hixhri. Kjo tregon se viti 1288 i korrespondon vitit 1871-1872 të kalendarit gregorian. Përsëri në këtë letër, Samiu si vit të largimit nga Frashëri dhe të vendosjes në Janinë tregon 1281, i cili korrespondon me vitin 1864-1865 të kalendarit gregorian. Samiu pas arsimimit, që zgjati 7 vjet, diplomohet më 1868, kështu që viti 1281 duhet të jetë gabim shtypi. Kundërshti ka edhe në datat e lindjes dhe të vdekjes së Samiut, në vitin e vdekjes të s’ëmës dhe të të atit. Kjo anarki datash mbizotëronte në jetën sociale në përgjithësi.

Në këtë periudhë, megjithëse në punët e shtetit përdorej kalendari Julian, shtëpitë botuese në kopertinat e librave vendosnin vitin sipas kalendarit Hixhri. Edhe në gazeta e revista hasej i njëjti konfuzion.

Prandaj, kur fillova punë për këtë libër, e pashë të nevojshme dhe të detyrueshme që këtë çështje ta rimarr nga e para. Në fillim shqyrtova një nga një veprat e botura të Sami Frashërit. Ndërsa lexoja, nxirrja shënime nga punimet e bëra, u ndala veçanërisht edhe mbi artikujt e botuar nga vetë Samiu në revistat e gazetat e kohës, si dhe në replikat e bëra në shtyp.

Cili ka qenë misioni i Sami Frashërit?

Studiuesit turq, jetëshkrimet e Sami Frashërit i ngrenë mbi të dhënat e natyrës biografike të marra nga të afërmit që jetojnë në Stamboll dhe kryesisht mbi pikëpamjet e parashtruara nga ai vetë, në veprat e botuara në gjuhën turke. Ndërsa në literaturën shqipe, portreti i Sami Frashërit është dhënë duke i mëshuar më shumë dimensionit patriotik dhe kontributit të dhënë për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Cili ka qenë misioni i jetës së Sami Frashërit?

Megjithëse jetëshkrimi i parë i Samiut është shkruar që në gjallje të tij, kjo pyetje vazhdon ende të preokupojë studiuesit shqiptarë dhe turq, pa i dhënë ende një përgjigje të kënaqshme dhe bindëse. Kjo vjen nga që jeta e këtij personaliteti, ndonëse në pamje të parë i ngjason jetës së rregullt dhe të disiplinuar të njeriut të letrave, është shumë dinamike dhe plot kundërshti.

Botimi në shqip i monografisë “Sami Frashëri”, i turkulogut të njohur Agah Sirri Levend, botimet “Dituria”, përkthyer nga Genciana Abazi-Egro, është një përpjekje për të hedhur një urë njohjeje ndërmjet studimeve shqiptare dhe turke. Kjo monografi, e cila është vepra më e plotë mbi Sami Frashërin, e shkruar deri më sot në historiografinë turke, në botën shqiptare të librit sjell një këndvështrim dhe një frymë krejt tjetër. Vepra e vë Samiun në qendër të periudhës dhe na paraqet një sfond të qartë të zhvillimeve politike, publicistike dhe intelektuale të kohës.

Figurën e Sami Frashërit, autori e ka ndërtuar duke e ballafaquar me veprat e tij të shkruara në turqisht dhe arabisht, debatet në të cilat ka marrë pjesë, duke dhënë në të njëjtën kohë dhe historinë e receptimit të tyre në opinionin turk. Autori, duke shfrytëzuar arkivin personal të familjes Frashëri dhe duke pasur referenca të shumta nga të afërmit e Samiut, ka arritur që krahas dimensioneve politike, shkencore e gazetareske, portretit të Sami Frashërit t’i japë me sukses dhe dimensionin human.

Në këtë vepër janë parashtruar edhe teza që bien ndesh me pikëpamjet tradicionale të historiografisë shqiptare për këtë figurë.

Sami Frashëri dhe këshillat për një shqiptar

Mbi gjendjen e Shqipërisë - ky është debati i parë që ka filluar Sami Frashëri. Ky debat u zhvillua në vitin 1878, në fund të luftës ruso-osmane, kur u zgjuan pasionet mbi Trakinë dhe Maqedoninë, kur në rend të ditës u vu kërkesa për ndarjen e tokave shqiptare dhe shqiptarët u përfshinë nga shqetësimet dhe entuziasmi, kur shqiptarët kundrejt atyre që ishin kundër shkëputjes nga Perandoria Osmane, u shfaqën edhe tendenca për autonomi. Të gjithë gazetat e asaj kohe ishin mbushur plot me lajme të ardhura nga Trakia e Maqedonia.

Në gazetën “Zëdhënësi i së vërtetës”, të datës 17 dhjetor 1878, botohet artikulli pa autor me titullin “Shqipëria”. Një person nga Shqipëria i ka dërguar një letër vëllait të një dijetari shqiptar në Stamboll dhe ai në përgjigje parashtron në këtë mënyrë pikëpamjet e tij:

“Lexova letrën dërguar vëllait tim. Atdhetarët toskë e gegë kërkonin që në Portën e Lartë të dërgohej një Komitet për dhënien e autonomisë shqiptarëve. Edhe ju qenkeni anëtar i këtij komiteti. Unë nuk jam i një mendjeje me ju. Mos vallë Vllahia dhe Moldvia, Serbia, Mal i Zi dhe Bullgaria i plotësuan kërkesat e tyre duke iu drejtuar Portës së Lartë? A do të mund të ishin të suksesshëm në rast se nuk do të kishin një forcë detyruese. Edhe pavarësia e Shqipërisë arrihet me një forcë detyruese”. Më pas letra vazhdon me këto fjali:

“Lëvizjet dhe kryengritjet e shqiptarëve do të jenë kundra shtetit të cilit i përkasin. Plumbat e gjylet që do të hedhin, para së gjithash do të godasin vëllezërit e tyre të të njëjtit besim. Çfarë fatkeqësie? Le të supozojmë veten nga turpi dhe urrejtja e përjetshme e njerëzimit dhe veçanërisht e botës islame. Pa dyshim që bota ata do t’i shohë si kryengritës dhe do t’i poshtërojë e do t’i mallkojë duke i quajtur tradhtarë”.

“Shqipëria, forcat e saj t’i përdorë kundër Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë e të kërkojë tokat që Kongresi i Berlinit i ka lënë qeverive”.

Gazeta në disa radhë shkruar poshtë këtij artikulli, i bën të ditur lexuesit se nuk është dakord me këtë qëndrim të shqiptarëve.

Sami Frashëri kësaj letre i kundërpërgjigjet me artikullin “Zotit autor”, botuar po në të njëjtën gazetë (Zëdhënësi i së vërtetës), të datës 24 dhjetor 1878. Ai, pasi vë në dukje se letra përveçse është e trilluar dhe ka fyer e shpifur në mënyrë të ulët kundër shqiptarëve, i parashtron kështu pikëpamjet:

“Për njeriun nuk ka gjë më të dashur se atdheu dhe më të shenjtë se kombi e raca e tij. Zotëria i ‘shumëditur’ duhet të dijë se shqiptarët në rast se do të ishin aq tradhtarë dhe të marrë sa të kërkonin shkëputjen nga shteti osman, sot nuk do të dërgonin përfaqësuesit e tyre në Portën e Lartë. Ndoshta, ata do të mund të realizonin veprimet e tyre, kur shteti osman merrej me Plevnën dhe Shipkën”.

“Zotëria i ‘shumëditur’ mburr rezistencën boshnjake ndaj austriakëve për të diskretituar shqiptarët. Mirëpo, Lidhja Shqiptare, të cilën ai vetë kërkon ta njollosë me një shpifje të tillë të madhe, ishte e gatshme të derdhte gjakun deri në pikën e saj të fundit kundër armiqve të atdheut, për të mbrojtur akuzën e shtetit osman dhe drejtësinë e shenjtë të sulltanit. Zotëria i ‘shumëditur’ i rekomandon shqiptarëve që të mos i dorëzojnë tokat që do t’i jepen Serbisë dhe Malit të Zi. Çfarë këshille e bukur! A nuk e di që shqiptarët kanë dhënë besën e janë betuar që të mos t’i japin asnjë pëllëmbë tokë Serbisë e Malit të Zi, dhe të rezistojnë deri në ushtarin e tyre të fundit?”.

“Përsa i përket Lidhjes dhe bashkimit të shqiptarëve e dërgimit këtu të përfaqësuesve për t’i paraqitur disa vërejtje Portës së Lartë: qëllimi i kësaj nuk është që të kërkohet vetëqeverisje, sikurse pretendon zotëria ‘i shumëditur’ apo më saktë sikurse kërkon që t’ia tregojë popullit, megjithëse vetë e di të vërtetën”.

“Qëllimi parësor i Lidhjes ishte krijimi i mundësive për të përballuar rreziqet e pritshme në vend nga shqetësimet e shumta të shtetit, krijimi i një ushtrie të mjaftueshme vullnetare dhe armatosja e popullit. Kur kongresi vendosi për këtë çështje dhe u pa se ndryshimi i këtij vendimi ishte vetëm utopi, kuptuan se nuk kishte mbetur ndonjë rrezik për t’u mbrojtur me anë të armëve. Kur u krijua Lidhja, ndjenë nevojën për të marrë masa kundrejt rreziqeve që mund të shfaqeshin në të ardhmen, për të shpëtuar familjet nga fatkeqësitë që pësoi popullsia myslimane e Rumelisë dhe për ta bërë Shqipërinë, e cila ishte kundër ekzistencës së shtetit osman në Ballkan, në gjendje që t’i rezistojë armiqve rreth e rrotull”....

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›