E Hënë, 2 Nëntor 2026

Studentët, pak dijeni për rastet e gjykimit të pedagogëve

15/05/2005  Si zgjidhje mendojnë denoncimin rast pas rasti, por u mungon kurajoja

Studentët konfirmojnë mitmarrjen, konfirmojnë molestinë, parregullsitë e ndryshme në kurriz të tyre, por askush nuk e “ndjen” për detyrë që të hedhë në gjyq ndonjë pedagog. Madje, ata janë shumë pak në dijeni për rastet e gjyqeve.

Sipas sondazhit të bërë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim, rastet kur studentët kanë hedhur në gjyq ose pedagogun, ose institucionin shkollor, u konfirmuan nga 18% e studentëve, rreth 30% pohojnë të kundërtën dhe 52% e studentëve shprehen se nuk dinë gjë për këtë pyetje.

Informimi

Numri më i madh i studentëve të mirinformuar për rastet kur studentët kanë hedhur në gjyq pedagogun, ose institucionin shkollor ku bëjnë pjesë, është në Universitetin e Elbasanit me 25%, ndërsa studentët me shkallën më të ulët të informimit, lidhur me këtë fakt, e gjejmë në qytetin e Shkodrës me vetëm 8% të të intervistuarve. Në Universitetin e Tiranës kemi një vlerë jo shumë të ulët në krahasim me universitetet e tjera, me 22% e studentëve që kanë dijeni në lidhje me këtë çështje. Nga kjo analizë del qartë që, studentët janë të painformuar për çështje të ndryshme tepër të rëndësishme të lidhura me korrupsionin dhe transparencën e institucioneve drejtuese të universiteteve.

Mënyrat e minimizimit të korrupsionit

Studentëve u janë hedhur disa alternativa të mundshme për të luftuar korrupsionin dhe, ata nga eksperienca e tyre e deritanishme janë të lirë të sugjerojnë dhe të japin alternativat e tyre, të cilat ata mendojnë si më të mira. Alternativat përmblidhen në: fushatën antikorrupsion, denoncimi i korrupsionit rast pas rasti, pjesëmarrja aktive nëpër forume dhe metoda të tjera, që vetë studentët mund të sugjerojnë. Të pyetur rreth këtyre mundësive për minimizimin e korrupsionit, 66% e studentëve mendojnë se mënyra më efikase e luftës së korrupsionit është denoncimi i tij rast pas rasti, 17% mendojnë se zhvillimi me fushatë antikorrupsion është më efikas dhe 12% e studentëve mendojnë se me pjesëmarrjen aktive nëpër forume, do të arrihet minimizimi i korrupsionit. Studentët nuk kanë qenë në gjendje të japin ndonjë metodë tjetër alternative për luftën e korrupsionit. Në nivel universitetesh, 72% e studentëve në Universitetin e Tiranës dhe 71% e tyre

në atë të Elbasanit, mendojnë se denoncimi rast pas rasti do të ishte dhe metoda më efektive në funksion të minimizimit të korrupsionit.

Dijeni për rastet gjyqësore

18% e studentëve kanë dijeni për rastet e hedhjes në gjyq

30% pohojnë të kundërtën

52% e studentëve shprehen se nuk dinë gjë për këtë pyetje

Si të luftohet korrupsioni

66% e studentëve mendojnë se mënyra më efikase e luftës së korrupsionit është denoncimi i tij rast pas rasti

17% mendojnë se zhvillimi me fushatë antikorrupsion është më efikas

12% e studentëve mendojnë se me pjesëmarrjen aktive nëpër forume, do të arrihet minimizimi i korrupsionit

Rasti

Shkelet e drejta e informimit,

penalizohet Ministria

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar një institucion shtetëror qendror të japë informacionin e kërkuar nga një organizatë që mbron interesat e fëmijëve. Është hera e parë që gjykatat shqiptare detyrojnë një institucion shtetëror të zbatojë ligjin “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”. Padia në fjalë u ngrit nga Shoqata për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, e cila i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit informacion në lidhje me procedurat e licensimit të çerdheve dhe shkollave private. Megjithëse kërkesa për informim ishte paraqitur që në maj 2004, Ministria nuk ktheu asnjëherë pëgjigje, duke mos reaguar as ndaj ankimit administrativ. Përfaqësimin ligjor të shoqatës e mori përsipër Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, një organizatë e specializuar për mbrojtjen e së drejtës së informimit. Përfaqësuesit e ministrisë jo vetëm që nuk u paraqitën në gjykim, por edhe refuzoi dy herë rresht nënshkrimin për marrjen e njoftimit përkatës. “Ky lloj qëndrimi tregon se sa i madh është deficiti i transparencës në vend”, deklaroi Ilir Aliaj, drejtori ekzekutiv i Qendrës. “Kur një ministri reagon në këtë mënyrë ndaj një kërkese relativisht të thjeshtë, çfarë mund të presësh nga pjesa tjetër e administratës”. Vendimi i gjykatës ka tërhequr vëmendjen e opinionit vendas.

Studentët

Nga 9 pedagogë, gjysmat u

kërkojnë blerjen e librave

Mesatarja e pedagogëve që imponojnë blerjen e librit të tij sipas universiteteve është 4 vetë. Mesatarisht për një vit shkollor, studentët zhvillojnë afërsisht 9 lëndë. Nga përgjigjet e kësaj pyetje, rezulton se studentët në total detyrohen mesatarisht nga 4 pedagogë për të blerë librat. Mesataren më të lartë të pedagogëve që imponojnë blerjen e librit të vet e gjejmë në Universitetin e Elbasanit dhe atë Bujqësor, me 5 pedagogë. Vlera e shënuar më shpesh për këtë çështje është vlera mesatare 3. Në Universitetin e Tiranës, mesatarja e pedagogëve që imponojnë blerjen e librit të tij përputhet me mesataren në total, gjithsej katër vetë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›