Marseja refuzon ofertën 10 milionë euro të Evertonit
Përfundon pa sukses raundi i parë i bisedimeve mes Evertonit dhe klubit të Marsejës. Anglezët kanë ofruar zyrtarisht 10 milionë euro për të blerë që në janar kartonin e yllit të përfaqësueses shqiptare, por drejtuesit e skuadrës franceze e kanë refuzuar në mënyrë të menjëhershme ofertën e bërë të mërkurën. Sipas football.fr, Marseja e ka refuzuar ofertën jo vetëm për motive financiare, por edhe sepse Evertoni ka kërkuar ta marrë lojtarin që në merkaton e janarit. Klubi i Marsejës dëshiron minimalisht 16-17 milionë euro nga kartoni i kapitenit të skuadrës, Cana. Megjithatë, ka një problem tjetër veç atij financiar, pasi mesfushori shqiptar dëshiron që të transferohet në një skuadër më prestigjioze se sa Evertoni që renditet në vendin e shtatë nëkampionatin anglez. Sipas medias franceze, në gjurmët e shqiptarit është edhe Arsenali. Ndërkohë vetë Lorik Cana ka pohuar se dëshiron të luajë te Bajerni i Mynihut dhe dëshira e tij mund të realizohet, pasi Van Bomel, që mbulon të njëjtin rol me Canën ka shumë mundësi të rikthehet në Holandë verën e ardhshme. Ndërkaq, Edmond Kapllani do luajë si titullar kundër Borusias së Dortmundit sot në mbrëmje. Sipas sueddeutsche.de, kjo mund të jetë edhe një manovër e klubit të Karlsruhes për ta vënë në vitrinë Kapllanin, me qëllim që në rast të ndonjë largim të mundshëm të shqiptarit në merkaton e janarit, të mund të përfitojnë sa më shumë para.