E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esat Ademi: Vizioni im i ri për KOKSH-in

 

President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, dje ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, teksa është gati për të kandiduar në postin e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar. Kandidaturën e Ademit për president të KOKSH-it e ka miratuar edhe kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, për të cilën ish-presidenti i shtangës kuqezi ka qenë shumë i kënaqur. Ashtu siç ka qenë i lumtur për faktin se në tetë vjet në krye të shtangës shqiptare, përtej arritjeve individuale, këtë sport tashmë e njeh për mirë Evropa dhe bota. Një lumë medaljesh që nga moshat e vogla e deri te të rriturit, kurse Ademi është i bindur se me vizionin e tij do ta ndihmojë të ecë në nivelet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. "Jam kandidat për president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar pas punës mjaft të madhe që kam bërë në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, së bashku dhe me Komitetin Drejtues. Mendoj se i plotësoj të gjitha kushtet për të qenë president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke parë edhe arritjet në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Pas punës sime, por edhe dy mandateve si president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, jam i kënaqur që jam votuar me unanimet të plotë nga kryesia e kësaj Federate për të kandiduar në postin e presidentit të KOKSH", ka nënvizuar Ademi, i cili është njëkohësisht president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes, por edhe anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Madje, ka meritën e madhe që për herë të parë në Durrës, nga 14-21 shtator, është zhvilluar Kampionati Evropian i të rinjve. Për rrjedhojë, Ademi është krenar për gjithçka që ka arritur, sepse tashmë shtanga shqiptare është në zemër të Evropës dhe të botës. "Unë jam i kënaqur - ka thënë Ademi - për vlerësimin që kam marrë nga instancat më të larta në vend, por edhe nga kolegët e mi në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, apo edhe të Federatave të tjera. Pres votën e tyre, sepse unë do të jem për zbatimin e demokracisë në sportin shqiptar, por dhe të çdo kërkese, e cila është në mbështetje të plotë të ligjeve në fuqi, gjithnjë në të mirë të sportit", ka bërë të ditur në hyrje të fjalës së tij në konferencën për shtyp Esat Ademi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›