E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ukrainë, në balotazh Janukoviç dhe Timoshenko

Pas raundit të parë të zgjedhjeve të zhvilluara të dielën në Ukrainë, duket se do të ketë një tjetër raund, ai i balotazhit, ku do të përcaktohet edhe presidenti i ri i vendit. Sipas të dhënave të para të dala pas numërimit të votave, udhëheqësi i opozitës i mbështetur nga lindja dhe jugu i vendit, Viktor Janukoviç, dhe kryetarja properëndimore e qeverisë, Julia Timoshenko, kanë arritur të fitojnë më shumë vota nga të 18 kandidatët që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale. Edhe pse udhëheqësi i opozitës siguroi 38 për qind të votave, ai nuk arriti të kalojë pragun e nevojshëm për të fituar zgjedhjet prej 50 për qindësh. Kundërshtarja e tij Julia Timoshenko arriti të sigurojë rreth 25 për qind të votave të elektoratit. Ndërkaq mbajtësi aktual i postit Viktor Jushçenko gjatë mandati të tij pesëvjeçar në detyrë, nuk i ka përmbushur ato se çfarë prisnin prej tij rreth 46 milionë ukrainas dhe për këtë arsye edhe sipas sondazheve paraprake nuk kishte shanse për të fituar. Ukraina është vendi i dytë pas Rusisë, për nga madhësia në Europë dhe vendi më i rëndësishëm tranzit për BE-në përsa i përket furnizimit me gaz nga Rusia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›