E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedia nxit ndarje dhe tensione

Edhe ish-presidenti i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, e ka dënuar Enciklopedinë dhe ka akuzuar Akademinë e Shkencave dhe Qeverinë e Maqedonisë. Sipas tij, Enciklopedia nuk është një libër i thjeshtë, dhe Akademia e Republikës së Maqedonisë nuk është një organizatë joqeveritare. Cërvenkovski akuzoi krerët më të lartë të shtetit, Gruevskin dhe Ivanovin, si promovues të Enciklopedisë. Ish-presidenti i Maqedonisë kërkoi përgjegjësi nga drejtuesit e Akademisë së Maqedonisë dhe të redaksisë që hartoi tekstin e shumëdebatuar. Sipas Cërvenkovskit, disa pjesë të kësaj Enciklopedie nxisin ndarje dhe tensione brenda në shoqëri dhe "na konfrontojnë me miqtë tanë të jashtëm". "Vlerësoj se për një projekt, i cili është botuar nga ana e Akademisë, padyshim përgjegjësi mbajnë bartësit kryesorë - njeriu i parë i Akademisë dhe bordi i redaktorëve", deklaroi Cërvenkovski. Ai shtoi se, projekti është financuar nga qeveria e Maqedonisë dhe është promovuar nga Kryeministri Gruevski dhe Presidenti Ivanov, prandaj, sipas tij, nuk lejohet që këta dy krerë të shtetit të mos kenë qëndrim lidhur me këtë çështje. Cërvenkovski theksoi më tej se qeveria të mos mendojë që forcat e errëta, për të cilat ka folur, t‘i kërkojë tek opozita.

Reagimi grek

Enciklopedia e Akademisë së Maqedonisë ka shkaktuar reagime edhe në Athinë. Në një deklaratë të ashpër të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delakulas, Athina akuzon Shkupin si shtrembëruese të historisë. "Botimi i publikuar kohët e fundit prej Akademisë së Shkencave të Shkupit shtrembëron dhe fsheh të vërtetat historike. Kushdo i di faktet dhe askush nuk mund t‘i fshehë ato. Publikimi i materialeve të tilla prej Shkupit zyrtar nuk na habit. Të gjithë e dimë rolin e Akademisë së Shkencave dhe klimën luftënxitëse që ajo prodhon herë pas here. Qeveria e Gruevskit fshihet pas kësaj tentative për shtrembërimin e fakteve historike", thuhej në deklaratë.

Digjet flamuri maqedonas

Flamuri shtetëror i Maqedonisë është djegur në stadiumin e Prishtinës, në shenjë revolte ndaj Enciklopedisë fyese për shqiptarët. Lidhur me këtë incident, Ministria e Jashtme maqedonase deklaron se në këto momente delikate nevojitet ulje e tensioneve dhe jo ndezje e tyre. Në deklaratë nënvizohej se veprime të tilla ekstreme duhen dënuar nga të gjithë.

m.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›