E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Juridikut hyjnë në ditën e tretë të grevës së urisë

Studentët e juridikut të universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës kanë hyrë tashmë në ditën e tretë të grevës së urisë. Ata shprehen të vendosur të qëndrojnë në grevë pa afat, si një mundësi e vetme për të arritur të drejtën e tyre, diplomimin. "Ne jemi ata që duhet të sakrifikohemi në këtë konflikt institucional", thanë studentët, duke iu referuar institucioneve të Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Vlorës. Sipas tyre, është e pafalshme që rektori Shaska nuk ka pranuar t‘i sqarojë dhe që atyre t‘u jepet një letër e cila nuk ka as foto as titullin jurist. "Kjo është tallje me djersën tonë dhe ne nuk e pranojmë kurrsesi. Kemi zgjedhur këtë formë si të vetmen, kur i kemi provuar të gjitha të tjerat dhe kanë rezultuar të pafrytshme", thanë studentët e ngujuar në grevën e urisë. Sipas tyre, i vetmi kontakt me strukturat e universitetit ka qenë ai i mbrëmjes së të hënës me zëvendësrektorin Eustrat Zhupa. Studentët thanë se ka mbërritur një e-mail që studentët e juridikut të pajiseshin me diploma të vjetra, por vetë universiteti ende nuk jep një përgjigje për këtë. Sipas tyre, i është propozuar zv/rektorit për një bisedim trepalësh ndërmjet Ministrisë së Arsimit, përfaqësuesve të universitetit dhe vetë studentëve, por i ka habitur përgjigjja e marrë nga zv/rektori, i cili për shumë pika ka dhënë alternativën "nuk e di". Studentët i kanë bërë apel ministrisë për zgjidhjen e problemit të tyre, por gjithashtu kanë kërkuar që rektori të kujtohet se studentët e institucionit që ai drejton kanë probleme. Gjendja e tyre shëndetësore deri tani nuk ka pasur probleme të dukshme. Studentët thanë se nuk kishin pasur deri tani asistencë mjekësore. Ata u shprehën të vendosur të vijojnë grevën e urisë, deri në marrjen e diplomave të vlefshme.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›