E Diel, 1 Nëntor 2026

Vranë shoferin, prangosen dy vëllezërit fierakë

Pranga për vëllezërit fierakë të përfshirë në vrasjen e ndodhur më 28 qershor në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja që përgjaku mëngjesin e ditës së zgjedhjeve është mbyllur me ndalimin e dy të rinjve nga Fieri. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata ekzekutuan me thikë pas një grindjeje banale në stacionin e furgonave urbanë 35-vjeçarin Dritan Neza. Të ndaluarit e policisë janë Romeo dhe Emiljan Braka, përkatësisht 21 dhe 17 vjeç nga Fieri. Dy vëllezërit kanë qenë në kërkim për veprën penale të "vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim" dhe kapja e tyre u bë vetëm tre muaj më pas, nga forcat e sektorit të luftës kundër krimit ndaj personit në Rrethin e Durrësit. Prokuroria e këtij rrethi gjyqësor kishte nxjerrë urdhër ndalimet përkatëse në korrik të këtij viti, pas zbardhjes së plotë të ngjarjes, identifikimit të autorëve dhe dokumentimit të vrasjes me prova ligjore. Gjatë këtyre muajve është punuar për evidentimin e vendndodhjes së dy të rinjve fierakë dhe vetëm mbrëmjen e së hënës është përfunduar me sukses aksioni për kapjen dhe ndalimin e tyre mbi bazën e urdhrave të lëshuar nga organi i akuzës durrsake. Vrasja ndodhi në lagjen 11 të qytetit port, rreth orës 07:45 të së dielës së zgjedhjeve, në sheshin "Pranvera". Viktima Dritan Neza ishte shofer furgoni. Sipas një versioni të policisë, ai gati i ka zënë këmbën me gomat e furgonit njërit prej vëllezërve Braka. Kjo është bërë shkak që njëri prej vëllezërve, Romeo, të godasë me thikë mbi të, i mbështetur dhe nga vëllai. Goditjet janë dhënë në pjesën e kraharorit dhe si pasojë e plagëve të marra, 35-vjeçari gjeti vdekjen në spitalin rajonal të Durrësit, pak çaste pas ngjarjes.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›