E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret djegin katër banesa, shkrumbohen ullishtat

Dy vatra zjarri, një në Fier dhe tjetra në Tropojë, kanë shkrumbuar katër banesa dhe një sipërfaqe të mbjellë me ullishta. Kështu, në fshatin Dojan të Komunës Bujan në Tropojë, një shkëndijë elektrike ka shkrumbuar katër banesa. Me gjithë ndërhyrjen e banorëve të lagjes dhe një zjarrfikëseje të Komisariatit të Tropojës është bërë e mundur të shpëtojnë jetët njerëzore, por nga ana tjetër nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë nga pasuria e katër familjeve. Ndërkohë, në kodrat e fshatit Vajkan në Fier është sinjalizuar një vatër zjarri rreth orës 11:30 të së martës. Ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e vështirë, për shkak të terrenit të thyer dhe flakët janë përhapur brenda një kohe shumë të shkurtër në një sipërfaqe të madhe. Përveç shkurreve dhe ferrave, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe te qindra rrënjë ullinj. Ndërkohë, policia e rendit ka ndaluar dy banorë të fshatit Vajkan, të cilët janë marrë në pyetje për rrethanat e rënies së zjarrit.

Su.Di/Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›