Endacaku vdes nën rrotat e deputetit
• Jeta e një 50-vjeçari që mblidhte kanoçe për të jetuar ka përfunduar nën rrotat e fuoristradës së drejtuar nga një deputet i Kuvendit shqiptar.DURRES/ OERD ULQINIAksidenti i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në orën 06:15, në afërsi të “Shkëmbit të Kavajës”, kur autovetura e drejtuar nga parlamentari i pozitës, Baki Shehi ka përplasur burrin, i cili kishte dalë që pa gdhirë për të siguruar bukën e gojës. Panoramë e trishtuar e fundit tragjik të Agim Abdurrahmanit do të ishte karroca e tij e dorës, një palë pinca, si dhe një pellg gjaku. Në karrocën e vogël viktima kishte vendosur të gjithë “pasurinë” e tij. Bëhet fjalë për disa kanoçe alumini të pijeve freskuese, të cilat ai kishte nxjerrë nga kazanët e plehrave vetëm pak minuta përpara përplasjes. Deputeti i Ndroqit Baki Shehi ishte nisur në drejtim të Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Mësohet se ai ka qenë krejt i vetëm në timonin e autoveturës, kur ka ndodhur aksidenti fatal. Burime policore nga Durrësi dhe Kavaja saktësuan se, në aksident është përfshirë automjeti tip “Fuoristradë” me targë TR 0459 K, i cili është në pronësi të deputetit demokrat. Përplasja e fuqishme ka ndodhur kur viktima po kalonte në anën tjetër të rrugës. Në vendngjarje kanë munguar dëshmitarët okularë, pasi në atë orë rruga ka qenë thuajse tërësisht e zbrazur nga makinat dhe këmbësorët. Pas telefonatës së bërë në policinë dhe urgjencën e Durrësit nga vetë deputeti, në vendngjarje kanë mbërritur policë dhe bluza të bardha. Mjekët konstatuan në çast vdekjen e të moshuarit dhe vendosën dërgimin e kufomës në morg për ekzaminim të mëtejshëm. Agim Abdurrahmani kishte dalë si çdo ditë tjetër për të mbledhur kanoçe alumini. Kështu e siguronte jetesën 50- vjeçari me origjinë nga Pogradeci, i cili prej të paktën 10 vjetësh banonte në Durrës. Viktima kishte vetëm pak muaj që ishte divorcuar nga gruaja e tij. I stresuar nga një martesë që nuk funksionoi kurrë dhe i detyruar të mbijetonte, duke mbledhur metale Abdurrahmani përpiqej megjithatë t’i jepte dinjitet jetës së tij të mjeruar. Persona që e njihnin tregojnë se, për të mbijetuar ai shiste objekte nga më të ndryshmet, që nga kanoçet e deri tek farat e lulediellit. Kjo u bë shkas që policia e Durrësit ta emërtonte 50-vjeçarin si “endacak”. Pak orë më vonë, policia nxori konkluzionet e saj. “Deputeti Baki Shehi është i pafajshëm. Ai ka qenë duke ecur brenda normave që lejon qarkullimi rrugor”. Ky është konkluzioni zyrtar i policisë për aksidentin e mëngjesit, ku mbeti i vdekur 50-vjeçari me origjinë nga Pogradeci. Mësohet se deputeti nuk është shoqëruar në polici për t’u pyetur, por ai i është rrëfyer në terren bluve të Durrësit për gjithçka ndodhi. Burime të policisë së Durrësit thanë për gazetën se, “nuk është parë e arsyeshme që deputeti të shoqërohej, jo për faktin se gëzon imunitet, por sepse ai nuk ka kryer vepër penale”. Aktekspertimi ka cilësuar si shkaktar të aksidentit veprimin e nxituar të vetë viktimës për të kaluar superstradën, në një moment të gabuar. Por lidhur me ngjarjen blutë e Durrësit janë treguar “hermetikë” me mediat. Në komunikatën ditore të policisë së Qarkut kjo ngjarje me pasojë vdekjen e një personi nuk ishte e përfshirë. Për policinë e Durrësit 50-vjeçari Agim Abdurrahmani është vetë përgjegjës për vdekjen e tij.Deputeti: Shkova vetë në polici për të sqaruar aksidentinDeputeti i PD-së, Baki Shehi, ka rrëfyer për “Panorama” momentet e aksidentit mëngjesin e djeshëm. “Ishte ora rreth 06:10 e mëngjesit dhe unë isha duke ecur me shpejtësi normale dhe befas përpara më doli një qytetar. Unë frenova shpejt dhe ndalova. Më pas telefonova menjëherë policinë dhe shkova në Prokurori për të treguar të gjithë ngjarjen”, thotë Shehi. Sipas deputetit të PD-së, megjithëse ai ka imunitet, është treguar i gatshëm të flasë për gjithçka që do të pyetej. “Në polici më thanë se jam deputet dhe kam imunitet, por unë u thashë që pavarësisht faktit që kam imunitet do të jap shpjegime si të gjithë qytetarët e tjerë”, vijoi më tej deputeti Shehi, teksa shtoi se, ka dërguar njerëz për të gjetur të afërmit e viktimës. 10 vjetmë parë, viktima ishte shpërngulur nga Pogradeci për të jetuar në zonën e Plazhit në Durrës, ku i vetmi burim jetese ishte mbledhja e shitja e ambalazheve prej metali 1 personvetëm deputeti i PD-së, sipas policisë ndodhej në makinën e aksidentit mëngjesin e djeshëm. Pas kësaj, Shehi ka pritur për disa minuta, derisa policia e ambulanca e Durrësit mbërritën në vendngjarjecv e Baki ShehitDeputeti i Partisë Demokratike, Baki Shehi ka marrë mandatin në legjislaturën e 17-të, pasi ka fituar në zonën zgjedhore 47 të Qarkut të Tiranës me 37,1% të votave. Aktualisht ai është pjesë e grupit parlamentar të Partisë Agrare Ambientaliste, ndërkohë që është anëtar i komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe anëtar zëvendësues në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Përsa i përket veprimtarisë politike, Baki Shehi në periudhën 1991-1992 ka qenë kryetar i komisionit parlamentar të Mbrojtjes, Rendit dhe SHIK-ut, në periudhën 2001-2004 kryetar i PD-së në zonën 36 në Tiranë dhe anëtar i kryesisë së PD-së, dega Tiranë.