Zbulohet kufoma në pus
• LEZHE – Trupi i një personi ende të paidentifikuar është zbuluar mbi sipërfaqen e ujit të një pusi ditën e djeshme në fshatin Mal Shëngjin të Lezhës.Dy fëmijët, të cilët kanë ndjerë një erë të rëndë që vinte nga oborri i një banese të braktisur të fshatit janë afruar nga kureshtja. Ata janë afruar deri pranë grykës së pusit, ku kanë vënë re se në thellësi të tij ndodhej një trup njeriu. Me shpejtësi kanë lajmëruar Policinë e Lezhës, e cila ka bërë rrethimin e zonës, për të nisur mëngjesin e sotëm aksionin për nxjerrjen e trupit. Nga të dhënat e para mësohet se banesa ku ndodhej pusi ishte e braktisur prej 15 vitesh nga pronarët e saj. Mbi pus ishte i vendosur kapaku dhe fëmijëve u është dashur ta heqin për të parë në thellësi. Mendohet se pusi është 5 metër i thellë, ndërsa viktima është ende e paidentifikuar. Dyshohet se kufoma i përket një mashkulli, por vetëm sot do të zbulohet se për kë bëhet fjalë dhe për kohën gjatë së cilës viktima ka qëndruar në pus. Pritet që në vendngjarje të mbërrijnë dhe ekspertë nga Tirana. r.n