E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi me sy kah titulli

Humbja e Prishtinës dhe zvogëlimi i dallimit ndaj saj në 6 pikë i ka rritur apetitet e Hysit. Skuadra llapjane beson realisht te titulli i kampionit, edhe pse trajneri Fadil Ademi thotë se janë ende shumë pikë në lojë. Ai është optimist se puna që po bëhet në klub në fund të sezonit do të sjellë rezultat. Nga Moral Pozhegu më 22 mars 2011 në ora 12:12

Humbja e Prishtinës nga Ballkani dhe fitorja e Hysit ndaj Flamurtarit e ka hapur kampionatin në Superligën e Kosovës në futboll. Tash, dallimi ndërmjet prishtinasve dhe llapjanëve është 6 pikë.

Kjo diferencë nuk është e madhe, por as e vogël jo. Trajneri i ri i Hysit, Fadil Ademi, kërkon nga lojtarët e tij që të vazhdojnë me ritëm të njëjtë në ndeshjet e ardhshme, duke e lënë prapa krahëve fitoren me Kuqezinjtë.

“Do të jetë interesant, pasi që avantazhi i Prishtinës tash është ngushtuar në 6 pikë. Por, ka ndeshje ende dhe janë në lojë shumë pikë. Nuk bën të na mashtrojë kjo lojë, nuk duhet të na kaplojë euforia. Këtë fitore do ta lëmë prapa dhe do të mendojmë qysh tash për ndeshjen e radhës me Besën”, deklaroi Ademi për Express.

Ish futbollisti i njohur, i cili në sezonet e fundit ishte ndihmës trajner në Hys, përsërit ambiciet e ekipit llapjan, të cilat sigurisht se janë vetë titulli i kampionit, i cili i mungon këtij klubi privat.

“Sigurisht, ambiciet tona që nga fillimi i kampionatit ishin që ta fitojmë titullin e kampionit. Me këto ambicie mbetemi edhe sot. Dihet se gjatë sezonit ka pasur rënie e ngritje, por ne po punojmë dhe mendoj se kjo punë do të sjellë rezultat”, deklaroi trajneri Ademi. Momentalisht, Hysi ka 39 pikë, 6 më pak se kryesuesi Prishtina (45).

Flamurtari në krizë

Flamurtari ishte njëri prej ekipeve më të përforcuar gjatë dimrit. Mirëpo, ky fakt nuk e ndihmoi ekipin prishtinas që të këndellet. Përkundrazi, Kuqezinjtë i kanë punët shumë keq, pasi që kanë pësuar tri humbje nga po aq përballje në pranverë. Pozita e parafundit në tabelë lë shumë për të dëshiruar për ekipin nga ‘Xhemajl Ibishi’.

“Rezultatet janë pasqyrë për çdo klub, nuk vlen aspak arsyeja nëse themi se kemi luajtur mirë. Flamurtari gjendet në krizë financiare, e cila reflektohet edhe në krizë të rezultateve”, tha trajneri Jusuf Tortoshi.

Sipas tij, Flamurtari në janar është munduar t’i mbushë zbrazëtirat, por ai insiston se përpos Bashkim Ahmetit e Virtyt Hashanit, të cilët kanë ende nevojë të ambientohen, ekipi prishtinas nuk ka bërë përforcime të mëdha që ia vlen të theksohen.

Tortoshi kërkon ndryshime në klub, përndryshe, thotë ai, Flamurtari lirisht mund të dorëzohet nga tash. Vetëm për t’i parë Kuqezinjtë duke arritur suksese, ai është i gatshëm edhe të vetësakrifikohet.

“Kryesia duhet të lëvizë dhe të angazhohet, sepse punët i kemi keq. Nuk po shoh perspektivë. Nëse është nevoja, largohem edhe unë, vetëm që klubi të ecën përpara”, përfundoi Tortoshi.

Pas 20 xhirosh të zhvilluara në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, Flamurtari gjendet në pozitën e 11-të, e parafundit, me vetëm 20 pikë të grumbulluara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›