Lëndohet Shaqiri, brengoset Zvicra

Xherdan Shaqiri, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund ta ndihmojë Zvicrës të shtunën në ndeshje me Bullgarinë. Mesfushori kosovar ka pësuar një lëndim të dielën, në përballjen e Baselit me Grasshoppers.
19 vjeçari është larguar nga loja pas vetëm 20 minutash, pas dhimbjeve që ndiente në këmbë. “Teksa po lëvizja, fillova të ndieja një dhimbje në kofshë”, deklaroi Shaqiri pas ndeshjes.
Trajneri i Baselit, Thorsten Fink, nuk beson se këmbëshpejti nga Gjilani do të mund ta ndihmojë ekipin e selektorit Ottmar Hitzfeld të shtunën.
“Mund t’ia jap një mesazh Ottmar Hitzfeldit. Pas kontrolleve, do të mund të dimë më shumë, por nuk mendoj se Shaqiri do të mund të luante për Zvicrën të shtunën”, theksoi Fink për mediat zvicerane.
Sipas këtyre të fundit, dëmtimi në muskul të këmbës mund ta detyrojë Shaqirin që ta bëjë një pauzë prej 10 ditësh.