Thaçi: Pushimet do t‘i kaloj në Vlorë
Gjatë një prononcimi që bëri të shtunën në mbrëmje për një grup gazetarësh nga qyteti i Vlorës, Kryeministri i Kosovës deklaroi se këtë verë do të zgjedhë Vlorën për të kaluar pushimet verore. Gjatë këtij prononcimi, që u bë në një takim që zoti Thaçi zhvilloi me gazetarët vlonjatë në Prishtinë, ai falënderoi autoritetet lokale të Vlorës, kryetarin e bashkisë, këshillin bashkiak, deputetët e këtij qyteti, forcat politike, gjithë qytetarët, për titullin "Qytetar Nderi" që iu dha disa javë më parë. "E konsideroj këtë, si një përgjegjësi shtesë, kombëtare dhe demokratike. E ndiej veten vlonjat. Krenohem me Shqipërinë, me Vlorën", tha Zoti Thaçi. Kryeministri i Kosovës nënvizoi se këtë vit do të ketë një fluks të jashtëzakonshëm të turistëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. "Edhe këtë vit, qytetarët kosovarë do të frekuentojnë bregdetin e Shqipërisë, atë të Vlorës", nënvizoi ai. Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se 2008-a, ishte një vit i shqiptarëve, ishte viti i pavarësisë së Kosovës, i ftesës së Shqipërisë për në NATO. Duke u ndalur në atë që do të ndodhë pas 15 qershorit, kur pritet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe të instalohet misioni EULEX i Bashkimit Evropian, Kryeministri Hashim Thaçi nënvizoi se, "nuk shoh ndonjë dilemë në këtë drejtim. Shoh një proces të natyrshëm". Sipas tij, autoriteti ndërkombëtar aktual, në përputhshmëri me dokumentin e Presidentit Ahtisari dhe Kushtetutën e Kosovës, do të kalojë përgjegjësitë tek autoritetet e shtetit të ri të Kosovës.
"E konsideroj një proces të zakonshëm, që do të përmbyllet me integrimin sa më të shpejtë të Kosovës, në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian", theksoi Thaçi në prononcimin e tij me gazetarët e qytetit të Vlorës. Në këtë takim, Kryeministri Thaçi, zhvilloi dhe një bisedë me deputetin e Vlorës, Bujar Leskaj, i cili ishte edhe nismëtar i turit të vizitave që realizuan gazetarët e këtij qyteti në disa qytete të Kosovës.