E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatkeqësitë natyrore, qeveria merr rreth 10 milionë dollarë kredi

Fatkeqësitë natyrore në Shqipëri tashmë "do të mbulohen" nga një borxh bankar, në sajë të negociimit të qeverisë shqiptare me Bankën Botërore. Projekti i "Zbutjes dhe përshtatjes ndaj risqeve të fatkeqësive natyrore" përfshin marrjen e një huaje me dy faza, që do të shtrihet në tre vjet. "Projekti financohet nga kredia e butë e IDA prej 6.16 milionë USD dhe një hua e IBRD prej 3.02 milionë USD dhe do të ketë katër komponentë", bëjnë të ditur përfaqësuesit zyrtarë të BB-së. Sipas tyre, objektivi kryesor i projektit është forcimi i kapaciteteve institucionale për uljen e ekspozimit të Shqipërisë ndaj rreziqeve natyrore dhe atyre të krijuara nga njeriu, si dhe për pakësimin e humbjeve njerëzore, ekonomike e financiare të shkaktuara nga këto fatkeqësi. Menaxhimi dhe përgatitja ndaj fatkeqësive është hapi i parë që mendohet se do të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve për mekanizmat e përgjigjes në rast emergjencash, përmes dhënies së pajisjeve të nevojshme dhe planifikimit e menaxhimit të risqeve të fatkeqësive. Hapi i dytë lidhet me forcimin e shërbimeve meteorologjike, përmes mbështetjes së parashikimeve të sakta të motit dhe pakësimit të rrezikut. Hartimi i kodeve të ndërtimit është një tjetër komponent i këtij projekti, që do të ndihmojë në pakësimin e risqeve nga tërmetet, duke prezantuar standarde të reja në këtë fushë. Sigurimi në rast fatkeqësish është një tjetër përbërës i rëndësishëm i projektit. Ai do t‘u ofrojë sigurime për risqet ndaj fatkeqësive, pronarëve të shtëpive dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Kjo do të kryhet përmes krijimit të një enti të ri rajonal për sigurimin ndaj risqeve të fatkeqësive për Evropën Juglindore. "Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që angazhohet për të marrë pjesë në një ndërmarrje të tillë novatore", shprehen përfaqësuesit e BB-së. Ndërkohë që sistemi aktual i emergjencave natyrore apo atyre që ndodhin për shkak të ndonjë "Gërdeci", është thuajse krejtësisht jo funksional.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›