E Diel, 1 Nëntor 2026

Endokrinologu Endri Ahmeti:Kanceri i tiroides, mbijetesa pesë vjet pas operacionit, 90%

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Kanceri i tiroides përbën rreth 1% të të gjithë tumoreve tek njeriu, por vlen të theksohet se vdekshmeria nga ky tumor është e vogël. Kjo si pasoje e trajtimit, por edhe për shkak se vetëm një pjesë shumë e vogël e tumoreve të tiroides është me agresivitet të lartë. Në një vit, mesatarisht diagnostikohen rreth 3 raste për 100 000 banorë me kancer të tiroides. Ky tumor është më i shpeshtë tek femrat në krahasim me meshkujt. Ekziston një relacion mes rezatimeve në qafë dhe në kokë dhe kancerit të tiroides. Për herë të parë ky fakt u evidentua rreth viteve 50 kur përdoreshin rezatime me reze X për patologji të ndryshme të këtyre zonave. Kanceri i tiroides është tumori njerëzor më i shpeshtë në popullsitë që i mbijetuan bombardimeve bërthamore në Hiroshima e Nagasaki. Kohët e fundit është vënë re rritje dramatike e rasteve me kancer të tiroides në popullsitë e Bjellorusisë dhe Ukrainës të ekspozuara ndaj ndotjeve bërthamore pas aksidentit në Centralin e Cernobilit në 1986. Në këtë rast janë izotopet radioaktive të jodit përgjegjëse për shkaktimin e kancerit njerëzor.
Përsa i përket ecurisë në kohë, këto tumore të shkaktuara nga rrezatimet janë të ngjashme me tumoret që shfaqen në formë spontane dhe nëse trajtohen mirë, prognoza në kohë është shumë e favorshme.
Klinikisht, një nodul tiroidien mund të jetë i izoluar, pra i vetëm, pa shenja që zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimit të pacientit por mund të jetë dhe një nodul me dimensione më të mëdha që mund të zbresë deri në brendësi të toraksit duke shkaktuar shtypje në organet përreth. Nodujt mund të jenë kiste të thjeshta (kavitete të mbushura me lëng), noduj në tiroiditet autoimune kronike (sëmundje inflamatore të gjendrës tiroide), tumore beninje dhe shumë më rrallë, malinje.
Më në risk, nodujt e mëdhenj
Eshtë e rëndësishme të përcaktohet natyra e nodulit. Edhe pse ekziston rreziku i pranisë së kancerit në nodujt e vegjël, ai është më i lartë në nodujt me dimensione më të mëdha. Gjithashtu, në nodujt e vegjël edhe nëse ekzistojnë karcinoma (tumore malinje) ata zakonisht kanë rritje shumë të ngadaltë. Në këtë rast është e rëndësishme kontrolli i vazhdueshëm nga specialisti me ekografi. Nëse kemi të pranishëm dhe 2 nga faktorët e rrezikut për malinjitet, atëherë duhet të bëhet biopsia e nodusit pasi probabiliteti i pranisë së kancerit është i lartë. Biopsia kryhet me anë të një ageje të hollë, me anë të së cilës merret material i mjaftueshëm për ekzaminime. Eshtë një ndërhyrje e thjeshtë, pa dhimbje (ngjan me një injeksion intramuskular), pa anestezi dhe pa ndërlikime. Preferohet të kryhet nën ekzaminimin ekografik. Zakonisht në praninë e një noduli para bërjes së biopsisë kryhen disa ekzaminime të hormoneve tiroidiene në gjak, që mund të jenë të ndryshme nga një pacient në tjetrin sipas këshillës së specialistit. Biopsia mund të përgjysmojë numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale për heqjen e nodujve të tiroides. Në këtë mënyrë reduktohet dhimbja dhe shqetësimi tek pacientët si dhe shpenzimet e sistemit sanitar. Biopsia e tiroides me age të hollë na jep informacion të dobishëm në rreth 80% të rasteve.
Kur evitohet kryerja e biposisë
Shintigrafia e tiroides është një ekzaminim tjetër mjaft i dobishëm për diagnostikimin e natyrës së nodujve të tiroides. Ajo na jep informacion që është vështirë të merret me mënyra të tjera mbi gjendjen funksionale të nodulit të tiroides. Nodujt që rezultojnë “të ngrohtë” pra që e mbajnë lëndën radioaktive pothuajse gjithmonë janë beninjë. Në këto raste mund të evitohet kryerja e biopsisë së nodulit. Ekografia është një nga ekzaminimet më të shpeshta. Kjo falë dhe lehtësisë se ekzaminimit, pasi nuk konsiderohet ekzaminim invaziv dhe falë çmimit të lirë. Jep informacion mjaft të detajuar për strukturën jo vetëm të nodujve, por dhe të vetë gjendrës tiroide. Gjithashtu, mund të shohim dhe limfonodujt e të vlerësojmë karakteristikat e tyre me anë të këtij ekzaminimi. Së bashku me të dhënat e tjera, ekografia na ndihmon në përcaktimin e natyrës së nodulit dhe na orienton se cilët noduse janë me rrezik të lartë dhe se kur duhet bërë biopsia e tyre.
Debati në zhdukje për jodin radioaktiv
Pas diagnostikimit të një noduli malinj rekomandohet heqja kirurgjikale e tij. Kjo shoqërohet më pas me trajtim me anë të jodit radioaktiv, i cili shkatërron qelizat e mbetura të tiroides që nuk ishte e mundur të hiqeshin me anë të kirurgjisë. Përdorimi i jodit radioaktiv ka ngjallur debate për efektet e tij në organizëm. Ai përdoret jo vetëm në kancerin e tiroides, por dhe në sëmundje të tjera të tiroides. Tashmë ka më shume se 70 vite që jodi radioaktiv përdoret në trajtimin e sëmundjeve të tiroides dhe në bazë të të dhënave që kemi, mund të përjashtojmë efekte të dëmshme të tij në organizëm. Rekomandohet më pas ndjekja nga specialisti me kontrolle periodike të hormoneve në gjak dhe me anë të ekografise së qafës. Së fundi, kemi një të dhënë mjaft inkurajuese: Mbijetesa e pacientëve 5 vite pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe trajtimit me jod radioaktiv është rreth 90%.

Të dhëna që sugjerojnë natyrë tumorale të nodulit të gjendrës tiroide

Dyshim i lartë
• Familjaritet për tumore të gjendrës tiroide
• Rritje e shpejtë
• Nodul i fortë
• Nodul i ngjitur me indet rrethuese, i palëvizshëm
• Paralize e kordave vokale
• Rritje e linfonodulave përreth
• Metastaza në distancë
•
Dyshim i moderuar
• Mosha nën 20 vjeç ose mbi 70 vjeç
• Meshkujt
• Histori rrezatimesh në kokë ose në qafë
• Dimensione mbi 4 cm të nodulit
• Simptoma komprimimi

Ushqime që përmbajne Jod :
• Buka
• Djathi
• Qumështi
• Kosi
• Vezët
• Peshku i detit
• Midhjet
• Multivitaminat (jo të gjitha)
• Kripa e jodizuar

Bulmeti dhe peshku, ushqime të pasura me jod

Në vendet ku mungesa e jodit është më e shprehur vihet re rritje e nodujve të tiroides. Në vendet e zhvilluara kemi praninë e nodujve në rreth 1 person në 20 në të gjithë popullsinë dhe ky numër rritet shumë mbi moshën 60 vjeç. Me anë të ekografisë mund të evidentojmë noduj në nivelin e gjendrës tiroide në gjysmën e popullsisë në moshën e tretë. Janë noduj pjesa më e madhe e të cilëve nuk mund të evidentohen nga mjeku me anë të ekzaminimit klinik manual të tiroides. Pra, një person në 2 mbi moshën 60 vjeç ka një nodul në nivel të gjendrës tiroide por që nuk identifikohet klinikisht.
Në vendin tonë nuk kemi statistika për praninë e nodujve në nivel të gjendrës tiroide, por mendohet që shifra të jetë mjaft e lartë. Me aplikimin e programeve të jodizimit të kripës kemi zhdukjen e pamjaftueshmërisë së jodit. Mendohet se rreth 40% e popullsisë në gjithë botën nuk merr sasi të mjaftueshme jodi me anë të ushqimit. Jodi është një element i rëndësishëm për prodhimin e hormoneve të tiroides. Jodi në organizëm nuk mund të formohet, kështu që ai merret vetëm nga jashtë me anë të ushqimit. Nëse në organizëm nuk gjendet sasi e mjaftueshme, nuk mund të prodhohen hormonet e tiroides. Si pasojë, tiroidja zmadhohet, mund të formohen noduj. Në të rriturit shfaqet hipotiroidizmi, pra tiroidja e redukton funksionin e saj. Në fëmijët, nënat e të cilëve nuk marrin sasinë e duhur të jodit gjatë shtatëzanisë shfaqet vonesë e zhvillimit mendor, probleme me rritjen, dëgjimin dhe të folurën. Gjithashtu, mungesa e jodit gjatë shtatzanisë shpeshherë shoqërohet me aborte, lindje të parakohshme dhe me keqformime në të sapolindurit. Hipotiroidizmi kongjenital për shkak të mungesës së jodit është shkaktari më i shpeshtë i prapambetjes së zhvillimit mendor në gjithë botën. Eshtë e rëndësishme të theksohet, se kjo gjendje është lehtësisht e parandalueshme me anë të korrigjimit të mungeseë së jodit. Në vendin tonë nuk kemi akoma një program për shtimin e sasisë së jodit në kripën ushqimore, gjë e cila bëhet në të gjitha vendet e tjera europiane. Megjithatë, pjesa më e madhe e kripës së konsumuar në Shqipëri, importohet dhe në treg gjendet lehtësisht kripa e jodizuar. Mungesa e jodit është më e shprehur në zonat malore dhe kodrinore.
Për të përcaktuar në popullsinë e përgjithshme, gjendjen e jodit, bëhet përcaktimi i sasisë së jodit që eliminohet me anë të urinës. Nëse në urine përmbahet më pak se 50 μgr/Liter jod, atëherë mund të themi se kjo popullsi merr sasi të pamjaftueshme jodi me anë të dietës. Rekomandohet që me anë të dietës të merren 150 μgram jod në ditë në të rritur. Në gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijën me qumësht, sasia e jodit në dietë të shtohet deri në 250 μgram në ditë.
Siç e thashë, dhe më sipër me mungesën e jodit kemi dhe rritje të numrit të nodujve në gjendrën tiroide. Kjo rritje është e rëndësishme, pasi prania e një noduli shoqërohet me dyshimin, nëse ky është i mirë apo është një nodul tumoral. Duhet të theksojmë se pavarësisht numrit të madh të nodujve, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre është me natyrë tumorale malinje. Llogaritet që vetëm 1 në 20 noduj klinikisht të evidentuar (të prekshëm nga mjeku) përmban qeliza tumorale malinje.

Ky lajm është publikuar: 26/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›