Endri Vrapi gjen akordin me Dinamon
Endri Vrapi ka gjetur akordin parimor me Dinamon. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, që gjatë kësaj periudhe është stërvitur me skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça, pranoi ofertën e bluve, ndërkohë që sipas burimeve zyrtare të klubit kryeqytetas, firma në kontratë ende mungon. Pas rënies së Elbasanit nga kategoria, ai ka qenë lojtar i lirë. Deri më tani, Vrapi ka pritur edhe ofertat nga jashtë vendit, duke qenë se është paraqitur mjaft mirë me përfaqësuesen kuqezi në ndeshjen eliminatore të 6 qershorit, ku Shqipëria humbi 2-1 me Portugalinë. Mbrojtësi i shtohet listës së futbollistëve që kanë arritur marrëveshje me dinamovitët në këtë merkato vere. Pasi e mbylli kampionatin e kaluar në vendin e tretë, Dinamo është treguar mjaft aktive për afrimin e elementëve cilësorë. Deri më tani akord parimor për të luajtur me blutë kanë edhe Bekim Kuli, Gentian Muça dhe Erbim Fagu. Ndërkohë, Muça kërkon me ngulm edhe shërbimet e talentit të Teutës, Emiljan Vila. Nga kontingjenti i sezonit të kaluar, të vetmit që nuk kanë pranuar ofertën e klubit janë portieri Kotorri, Poçi dhe Sina, bisedimet me të cilët priten të mbyllen sot.