E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Peshëngritja shqiptare, histori suksesi"

Vetëm pak orë përpara pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes për të rinj, që do të zhvillohet në Bukuresht, sporti që ka sjellë rezultatet më të larta në Shqipëri ka marrë vlerësimet e radhës. Tamas Ajan, presidenti i Federatës Botërore ka folur me superlativa për rezultatet e shtangës në nëntë vitet e fundit. Gjatë takimit me kreun e FSHP-së, Esat Ademi në kryeqytetin rumun, ai ka premtuar gjithashtu edhe mbështetje të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj disipline në vendin tonë. "Peshëngritja shqiptare e dhjetëvjeçarit të fundit mund të cilësohet pa frikë si një histori suksesi", deklaroi Ajan. Ecuria e nëntë viteve të fundit, ku sportistët shqiptarë kanë fituar medalje dhe tituj botërorë apo kontinentalë, ishin në qendër të vëmendjes. Kreu i IËF-së theksoi se këto rezultate të larta kanë bërë që Ademi të bëhet anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Botërore. "Nuk mund të mohohet se peshëngritja në rajonin e Mesdheut ka njohur një rritje të konsiderueshme dhe në këtë këndvështrim, edhe Shqipëria ka përjetuar një shpërthim për sa u takon arritjeve në nivelet kontinentale e botërore, theksoi veterani i peshëngritjes. Natyrisht, një meritë të madhe kanë edhe drejtuesit e federatës, me presidentin Ademi". Drejtuesi më i lartë i këtij sporti ka vlerësuar edhe rolin e Shqipërisë në Konfederatën Mesdhetare të Peshëngritjes. "Fryma e suksesit të Shqipërisë është transmetuar edhe në këtë Konfederatë. Vendi juaj do të gëzojë mbështetjen e vazhdueshme të IËF-së, në çdo hap që do të ndërmerrni", theksoi Ajan.

Kampionati Botëror për të rinj dhe të reja ka startuar gjatë ditës së djeshme. Në këtë aktivitet, që përfundon më 21 qershor, do të marrin pjesë katër shtangistë kuqezinj: tre meshkuj, Briken Calja, Ervis Tabaku dhe Endri Karina dhe një femër, Sherjana Ruci. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ilir Kraja, gjendja e sportistëve është mjaft e mirë. Vitin e kaluar, e vetmja medalje për përfaqësuesen tonë u fitua nga Erkand Qerimaj (në stilin e shtytjes me 181 kg). Edhe këtë vit, objektivi është arritja e medaljeve, duke qenë se Calja dhe Tabaku marrin pjesë për herë të dytë në këtë eveniment dhe kanë eksperiencë të mjaftueshme për të pretenduar rezultate të larta. Nën drejtimin e trajnerit Sokol Bishanaku, e para që do të ngjitet në pedanë në Bukuresht është Sherjana Ruci. Më 17 qershor (nesër), ajo do të konkurrojë në peshën 58 kg. Në të njëjtën ditë, në peshën 69 kg për meshkuj konkurron edhe Briken Calja. Gara e peshëngritësve shqiptarë vazhdon më 19 qershor me Ervis Tabakun, në peshën 85 kg, ndërsa një ditë më pas në pedanë hipën edhe shtangisti i fundit, Endri Karina, në peshën 94 kg.

Pas Botërorit për të rinj, katër sportistët do të udhëtojnë drejt Italisë, për të marrë pjesë në lojërat mesdhetare "Peskara 2009". Ata janë pjesë e skuadrës me 10 peshëngritës (7 meshkuj dhe 3 femra), me të cilët Shqipëria do të paraqitet në këtë aktivitet nga 25 qershori deri më 5 korrik. Një detaj mjaft interesant është edhe rikthimi i Fetije Kasajt, e cila ka përfunduar pezullimin 2-vjeçar për përdorimin e substancave të ndaluara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›