Vllaznia bën merkato vetëm jashtë Shqipërisë
Pasi ka regjistruar një sezon të dështuar, ku u eliminua në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe e humbi titullin kampion në ndeshjen e fundit të sezonit në përballjen direkte me Tiranën, Vllaznia tashmë ka kthyer sytë nga merkatoja, me synimin për të ndërtuar një ekip të denjë, i cili do të mund të garantonte një ecuri të mirë në Europa League, por edhe arritjen e dy trofeve të kampionatit shqiptar të futbollit. Burime të besueshme pranë klubit kuqeblu kanë bërë të ditur dje se, drejtuesit shkodranë janë përqendruar në pistat jashtë Shqipërisë për të gjetur disa përforcime për skuadrën. Për momentin nuk bëhet e ditur se cilat janë këto pista, ndërkohë duket se është përjashtuar mundësia e ndonjë përforcimi nga kampionati shqiptar. Shkak për këtë të fundit është bërë edhe fakti se elementët e pëlqyer nga trajneri Hasan Lika duket se e kanë lidhur të ardhmen e tyre me skuadrat përkatëse. Dje ishte parashikuar një udhëtim skuadrës drejt Pukës, ku do të zhvillohet edhe një fazë përgatitore dyjavore, por që është shtyre për sot.