Endrra e Ujkanit: Të ndal Ibrën dhe Interin
Jetmir Halilaj
Që kur ka zbarkuar në Palermo nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje në Serinë A. Që nga nëntori i vitit të kaluar ai është portieri i dytë i skuadrës siciliane, por ka vuajtur gjithnjë formën e mirë të Amelias. Samir Ujkani gjithsesi, është gati për një debutim të bujshëm në Serinë A. Të shtunën ai mund të zbresë për herë të parë në fushë, madje do të ketë përballë kampionen e Italisë, Interin
Flitet se do të luani kundër Interit si titullar, sa shanse keni që të zbrisni në fushë?
Kam shumë shanse. Marko (Amelia) nuk është stërvitur as sot (dje) për shkak se është i dëmtuar. Unë jam portieri i dytë dhe me sa po shoh, ka shumë gjasa që të luaj unë të shtunën. Megjithatë, nuk i dihet se kemi edhe dy ditë në dispozicion dhe Amelia mund të rikthehet. Mjekët po bëjnë të pamundurën që ai të rikuperohet, por progresi ka qenë shumë i ngadaltë.
A jeni i emocionuar që mund të debutoni kundër kampionëve në fuqi?
Pak, shumë pak. Të mbrosh portën e Palermos është një përgjegjësi e madhe, por edhe një motivim i jashtëzakonshëm. Nëse luaj, shpresoj t’ia dal mbanë. Do të ndihesha vërtet krenar nëse do të mbaja të paprekur portën time në “San Siro”.
Do të keni përballë Ibrahimoviç...
Eh, ai është ndër më të mirët në botë për momentin. Megjithatë, Interi është një skuadër ku mund të të shënojnë të gjithë përveç portierit, ndaj nuk duhet menduar vetëm për Ibrën. Nëse e ndal do të ishte një arritje e madhe, por për këtë nevojitet ndihma e gjithë skuadrës.
Po nëse nuk e ndal?
Eh, këto ndeshje janë paksa delikate, kur vjen puna për të debutuar. Nëse ia del mbanë, bëhesh hero menjëherë, por nëse nuk ia del, e ke të vështirë të mos stresohesh.
Çfarë ëndërron Ujkani?
Ëndrra ime prej më shumë se një viti është të debutoj në Serinë A. Tani jam shumë pranë dhe shpresoj ta shfrytëzoj mundësinë, nëse do të më jepet. Do të ishte një gëzim i dyfishtë që përballë një skuadre si Interi me Ibrahimoviç dhe yje të tjerë të mos pësoja gol. Kjo do të ishte vërtet fantastike.
A do t’ju vinte keq, nëse në këtë ndeshje luan Fontana dhe jo ju?
Nuk besoj, nëse mungon Amelia luaj unë, sepse jam portier i dytë, ndërsa Fontana është portier i tretë.