Erkand Qerimaj, ar dhe argjend
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Peshëngritësi shqiptar, Erkand Qerimaj, ka konfirmuar edhe një herë tjetër se mbetet një nga shtangistët më të mirë të Shqipërisë për momentin. Qerimaj është shpallur kampion Evrope për të rritur në kampionatin evropian që po zhvillohet në Bukuresht në stilin e shtytjes, duke ngritur 190 kg. Qerimaj konkurroi në peshën 77 kg së bashku me 17 sportistë të tjerë nga Evropa, por triumfi në këtë stil ishte për peshëngritësin shkodran, që ngriti në provën e dytë plot 190 kg. Ai la pas peshëngritësin Mikalai Çerniak nga Bjellorusia me 189 kg dhe konkurrentin nga Polonia Pior Krushevic, po me 189 kg, të ngritur në provën e tretë, por me peshë trupore më të madhe se bjellorusi. Kampioni Qerimaj garën e nisi me 186 kg, duke vijuar më pas me 190 kg. Ndërkohë, në tentativën e tretë për të ngritur 192 kg, Qerimaj nuk ka fat. Megjithatë, prova e dytë i jep shqiptarit medaljen e artë. Në stilin e shkëputjes Qerimaj ka ngritur gjithsej 152 kg, të realizuar në provën e parë, duke dështuar në dy provat e tjera me 156 kg. Në total peshëngritësi shqiptar ngriti 342 kg, duke u renditur i dyti në dygarësh dhe duke fituar medaljen e argjendit. Kampion Evrope në peshën 77 kg u shpall Miklai Çerniak, i cili në dygarësh realizoi 344 kg. I treti në podium u ngjit Dmitri Ivanenko me 341 kg.