Xhelozia, burri plagosi gruan që sajoi grabitjen
TIRANE - Policia e kryeqytetit arrestoi dje Arjan Danajn për plagosje të rëndë me dashje të bashkëshortes së tij dhe kallëzim të rremë. Ngjarja që policia serviri dy ditë më parë si grabitje me dhunë, në rrugën "5 Maji" në kryeqytet, ku mbeti e plagosur 30-vjeçarja Valentina Danaj, u zbulua që është krejtësisht ndryshe. Specialistët e Sektorit të Vjedhjeve me dhunë, brenda pak orësh kanë gjetur fakte që e hidhnin poshtë grabitjen e 30-vjeçares. E gjithë skema e kësaj ngjarje të sajuar, ishte përgatitur mjaft mirë nga bashkëshorti i të plagosurës, i cili e denoncoi si grabitje në Komisariatin Nr.4. Por në fakt hetimet e policisë brenda pak orësh zbuluan se nuk bëhet fjalë për grabitje, por plagosje nga xhelozia. Këtë fakt e pohoi edhe vetë dje në mëngjes Valentina Danaj, edhe pse gjatë gjithë natës që mjekohej në spital, nuk preferoi të fliste me oficerët e policisë. Më pas ajo ka treguar të vërtetën e "grabitjes" së saj, madje edhe motivin e ngjarjes. Sipas deklarimeve të 30-vjeçares, bashkëshorti i saj, Arjan Danaj, i kishte kërkuar disa herë që të hiqte dorë nga profesioni i saj si kontabiliste, pasi ishte xheloz, duke qenë se puna e saj lidhte me tregtarë dhe biznesmenë të ndryshëm. Kundërshtimi i saj kë bërë që 45-vjeçari ta rrihte brenda në zyrën ku ajo ushtronte profesionin, në afërsi të "21 Dhjetorit" në Tiranë dhe ta godiste me një levë hekuri. Më pas, në mënyrë që t'i shmangej përballjes me policinë, Danaj e ka dërguar bashkëshorten tek rruga "5 Maji", mbrapa tregut të Medresesë dhe ka lajmëruar policinë, duke iu thënë se gruan e tij e kanë plagosur me kaçavidë, dy persona që i kanë grabitur çantën e krahut. Në të njëjtën kohë ai e ka kërcënuar që të mos tregonte të vërtetën. Ai ka menduar se me një kërcënim do ta bindte gruan që të mos tregonte, por në fakt ka ndodhur e kundërta dhe tashmë ai ndodhet pas hekurave të qelisë, me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje dhe kallëzimit të rremë. Ndërkohë Valentina Danaj ndodhet në Spitalin "Nënë Tereza", ku është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mundur të sekuestrojë edhe mjetin me të cilin është kryer plagosja e 30-vjeçares, në zyrën e saj, e cila ishte shkatërruar plotësisht nga i arrestuari. e.d