E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Unë, pasuese e Berishës në PD

 

PANDI GJATA

Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli pranon për herë të parë, se mund të jetë ajo pasardhësja e Sali Berishës në krye të kësaj partie. Ndërkohë që në daljet e tjera publike, kryetarparlamentarja nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, të martën në emisionin “Kontrast”, ajo deklaroi se “mund t’ju them se Regani është bërë President për herë të parë, kur ka qenë 69 vjeç dhe është zgjedhur dy herë”.
Znj. Topalli, ndryshe nga Samiti i Bukureshtit, ku një vit me parë u mor ftesa e anëtarësimit të Shqipërisë, ku ishte Presidenti dhe kryeministri, këtë vit ishit edhe ju pjesë e protokollit. Pati edhe në media komente: tre krerët më të lartë të shtetit, shkelin protokollin, pasi njeri prej tyre, duhet të jetë në Shqipëri sipas protokollit. Ju keni qenë kritikuese, kur keni qenë në opozitë, kur ndodhte e njëjta situatë. Ju duk  ndryshe kësaj here?   
Jo. Mendoj se protokolli, ndoshta duhet të rishikohet në disa aspekte, se ai protokoll është i 30 vjetëve më parë, për ngjarje të tilla historike, që nuk përsëriten me as në gjithë jetën time, as në atë të fëmijëve të mi. E ndjen që duhet të marrësh pjesë, për faktin, se ne morëm këtë anëtarësim, këtë pasaportë besimi siç e quan edhe kryeministri. Vlen edhe për faktin se Kuvendi ka qenë një mbështetës i reformave të ndërmarra nga z. Berisha, që nuk kanë kaluar kollaj në Kuvend. Unë e di se sa momente jo të këndshme kam kaluar për të kaluar ligje që anatemoheshin, që nuk pranoheshin. Kërkohej që të mos realizohej kuorumi, që të mos votohej. Kështu që Kuvendi ka pasur një peshë të jashtëzakonshme.
Pikërisht për këtë arsye, po thoni që duhet të ishte pjesë e delegacionit?
Nuk dua të them këtë. Po them se është një moment historik, të cilin nuk mund ta humbisja.
A kishte kryetare të tjerë parlamentesh, përveç teje, në Samit? Homologu juaj kroat nuk e di a ishte prezent...
Jo, kryetari i Kuvendit kroat nuk ishte, por ishin anëtarë të tjerë të qeverisë kroate.
Keni premtuar se do të ishit avokatja e opozitës në këto katër vite, por keni pasur dy mocione për shkarkim, në tentativë një të tretë dhe shumë debate të ashpra për punën tuaj....
Absolutisht, por kjo është arritja më e madhe që unë...
Që mbijetuat?
Jo, jo për mocionet. I kam harruar ato. Ajo për të cilën më vjen mirë është që nuk ka pasur ndonjëherë mundësi dhe të drejtë opozita që të ngrejë vetëm në një muaj e gjysmë 7 komisione hetimore, siç ka bërë vitin e kaluar. Për të gjitha akuzat që u ngritën, u ngritën komisione hetimi. U kam çuar me tonelata dokumente, shkresa nga ministri të ndryshme për të bërë transparencë dhe kontroll të plotë mbi çdo gjë.
Nëse e marrim të mirëqenë fitoren e së djathtës në zgjedhjet e 28 qershorit, do të jeni sërish kryetare e Kuvendit?
Unë di që këto katër vjet kanë qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme.
Do jeni sërish, apo do ju shohim në një post tjetër?
Nuk e di. Nuk e mendoj....
Pak kohë më parë, kryeministri Berisha është pyetur a ka pasues në PD për kryetarin e partisë. Ai tha se janë shumë. A jeni ju njëra prej tyre?
Berisha është kryeministri i sotshëm dhe me i suksesshmi, besoj në të gjithë historinë e shtetit tonë, që është kryetari i PD-së, që e futi Shqipërinë në NATO dhe që unë jam e sigurt se do të vazhdojmë të drejtojmë reformën e katër viteve të ardhshme. Për të gjithë ata që ngrenë pyetje të tilla, mund t’ju them se Regani është bërë President për herë të parë, kur ka qenë 69 vjeç dhe është zgjedhur dy herë.

Flamuri i NATO-s ngrihet në Tiranë

Qeveria ngre në Tiranë flamurin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, tri ditë pasi ajo u bë anëtare me të drejta të plota. Ceremonia u zhvillua në ambientet e brendshme të Këshillit të Ministrave, ku krahas flamurit shqiptar u ngrit flamuri i NATO-s. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh: “Le të zotohemi se për t’iu përgjigjur kërkesave të saj, do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim, do të programojmë çdo reformë dhe ne, shqiptarët, gjithnjë do të ndodhemi në lartësitë e flamurit tonë kombëtar, në lartësitë e flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›