I ofroi mjekut para për vajzën, në gjyq për korrupsion Ibrahim Haka
TIRANE - Shkon në gjykatë Ibrahim Haka, ryshfeti i të cilit prangosi në korrik të vitit të kaluar mjekun kirurg Kastriot Dautaj. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të gjykatës së kryeqytetit. Mësohet se dosja është regjistruar pak ditë më parë në Gjykatë, ndërsa shorti elektronik ka caktuar si gjyqtar që do të shqyrtojë këtë çështje, gjyqtarin Fehmi Petku. I pandehuri Haka akuzohet nga prokuroria për veprën penale të "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Ibrahim Haka u arrestua nga policia në korrik të vitit 2008 pak pasi i kishte dhënë mjekut kirurg-urolog Kastriot Dautaj, një shumë prej 50 mijë lekësh. Operacioni policor i koduar "Veshka e humbur", arrestoi mjekun në fjalë, ndërsa pas tij prangat u shtrënguan edhe në duart e Hakës. Haka ishte babai i L. Hoxhës, një pacienteje të operuar nga kirurgu Dautaj dhe shumën e parave ia kishte dhënë mjekut pas operacionit. Në deklarimet e dhëna në polici pas arrestimit, Haka pranoi dhënien e parave mjekut duke qenë i detyruar për kryerjen e operacionit me sukses për vajzën e tij. Sipas prokurorisë, hetimet për mjekun Dautaj, kishin nisur pas disa sinjalizimeve për ryshfete që ai kërkonte për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Prej këtij fakti, hetimet kanë vijuar metodat speciale të hetimit duke instaluar pajisje përgjimi me përgjime ambientale dhe kamera filmime në ambientet e frekuentuara nga mjeku. Sipas organit të akuzës, janë mundur të filmohen gjashtë raste të marrjes së parave prej kirurgut nga të afërm të pacientëve. Ndërkohë që me prangosjen e mjekut u publikun edhe një sërë padish nga qytetarë të ndryshëm për mjekun Dauti. Por operacioni "Veshka e humbur", veç mjekut vijoi edhe me arrestimin e dhënësit të parave, Hakës. Tashmë ai do të gjykohet për akuzën e "korrupsionit pasiv". ar.ba