E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i fal Irakut armë të ushtrisë shqiptare

 

Qeveria miraton vendimin për t’i falur Irakut një sasi armësh, të cilat kanë ngelur në këtë vend në përfundim të misionit “Liria e Irakut”. Në mbledhjen e djeshme iu dha OK projektvendimit të propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. “Këshilli i Ministrave vendosi heqjen nga armatimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të municioneve, sipas llojeve, tipeve dhe sasive të përcaktuara në tabelën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Municionet e hequra nga armatimi, sipas tabelës nr. 1, të përmendur në pikën 1 të këtij vendimi, të shërbejnë si kontribut i qeverisë shqiptare për ringritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Irakut, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar, për përmirësimin dhe rritjen e sigurisë në Irak”, thuhet në vendimin e miratuar. Sipas tabelës së këtij vendimi, ndër armatimet që i falen ushtrisë së Irakut janë edhe 38.200 copë fishekë 7.62 mm model 56 me plumb të zakonshëm pa krehra; 54.160 copë fishekë 7.62 mm model 53 me plumb të zakonshëm pa krehra me gëzhojë çeliku. “Misioni ynë atje ‘Liria e Irakut’ ka përfunduar dhe trupat së bashku me pajisjet janë tërhequr. Megjithatë për arsye logjistike një pjesë e municioneve të kalibrit dhe llojeve të ndryshme nuk janë transportuar akoma në Shqipëri. Nga Shtabi i Përgjithshëm i FA është propozuar që këto municione t’u dhurohen Forcave të Armatosura të Irakut”, thuhet në relacionin e ministrit Oketa. “Nëpërmjet këtij dhurimi qeveria shqiptare do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Irakut, duke bërë të mundur rritjen e sigurisë në Irak dhe rrjedhimisht uljen e rrezikut terrorist në këtë vend. Praktika të tilla dhurimi të municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake në kuadër të koalicioneve ndërkombëtare janë ndjekur edhe më parë nga qeveria shqiptare”, vijon më tej relacioni.

Armët e falura qeverisë irakiane

Përshkrimi                Sasia

Fishekë 7.62 mm model 1954        8.000
Fishekë 7.62 mm model 56 me
plumb të zakonshëm pa krehra        38.200
Fishekë 7.62 mm model 56 me
plumb gjurmëlënës            1.440
Fishekë 7.62 mm model 53 me
plumb të zakonshëm me gëzhojë    54.160
Fishekë 7.62 mm model 56 me
plumb gjurmëlënës            1.500
Granata dore mësymje            1.200
Granata dore mbrojtëse            1.160
Fishekë shenjëdhënës 26 mm        760
Shtimje 40 mm me predhë për
granatahedhësin model 69        350

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›