Operatori i katërt celular në treg, nesër tenderi
19/02/2009 Tenderi për hapjen e ofertave për operatorit e katërt në tregun e telefonisë së lëvizshme në vend do të zhvillohet më datë 20 shkurt 2009. Kompanitë që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në tender kanë qenë në numër të konsiderueshëm. Ky tender ishte planifikuar të bëhej në fund të janarit në fakt, por u shty pas një vendimi të marrë nga ky autoritet. “Kjo datë është shtyrë për disa arsye. Një prej tyre është ekzistenca e një pike që në tender të marrin pjesë sa më shumë kompani”, - është shprehur kreu i AKEP-së, Ilir Shehu. Një tjetër kërkesë për shtyrje të afatit të paraqitjes së ofertave për tenderin e operatorit të katërt celular është kërkuar pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare pak kohë më parë. Sipas një njoftimi të këtij autoriteti, bëhet e ditur se subjekti i interesuar ka paraqitur një kërkesë nëpërmjet e-mailit në fund të muajit janar. “AKEP pasi mori në konsideratë kërkesën, vendosi për mospranimin e kërkesës dhe mosshtyrjen e mëtejshme të afatit të dorëzimit të ofertave”, - thekson njoftimi i AKEP-it.