E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Bujqësisë: “Çmimet e ushqimeve ndryshojnë sipas rretheve”



Çmimet e shitjes me pakicë të mallrave ushqimore në tregjet e vendit, megjithse ruajnë nivele të njëjta me javën e mëparshme, shënojnë ndryshime në shumicën e grupeve, nga njëri rreth në tjetrin. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, gruri në shtatë ditët e fundit u tregtua mesatarisht me 36,5 lekë/kg, por në Vlorë dhe Shkodër është shënuar çmimi më i lartë me 40 lekë/kg. Çmimi më i ulët i shitjes shënohet në tregun e Kavajës, me 35 lekë/kg. Për prodhimet e bulmetit rezulton se djathi i bardhë mesatarisht u shit këtë javë me 360,6 lekë/kg, ku niveli më i lartë shënohet në Tiranë me 380 lekë/kg dhe më të ulëtat në Shkodër me 320,6 lekë/kg dhe në Korçë me 356 lekë/kg. Perimet jashtë sezonit të prodhimit dhe frutat, (pjesa më e madhe prodhime importi) me çmimet e tyre këtë javë renditen në ushqimet më të kushtueshme, ku vendin e parë e zë Tirana. Ndërsa në Lushnje e Korçë janë regjistruar çmimet më të ulëta për të gjitha llojet e tyre. Për prodhimet e mishit dhe nënproduktet e tij çmimet më të larta rezultojnë në Tiranë, ndërsa në Shkodër dhe Vlorë mishi i viçit shitet mesatarisht me 650 lekë/kg, ndërsa në Lushnje e Korçë tregtohet me 680 lekë/kg. Sipas të dhënave nga MBUMK-ja, produktet ushqimore të importit, si sheqer, makarona, oriz, etj, ruajnë të njëjtin nivel çmimesh në shumicën e tregjeve të vendit me përjashtim të Gjirokastrës ku çmimi i shitjes së tyre në fund të kësaj jave ka zbritur 0,1 për qind.

Në 10 muaj, doganat arkëtuan 86.2 miliardë lekë në buxhetin e shtetit

Administrata Doganore arkëtoi 86 miliardë e 248 milionë lekë në buxhetin e shtetit për 10-mujorin e vitit 2008, duke realizuar planin në masën 100.4 për qind. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bënë të ditur se gjatë periudhës janar-tetor u arkëtuan në buxhet 369 milionë lekë më shumë se plani. "Administrata Doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit 86 miliardë e 248 milionë lekë nga 85 miliardë e 879 milionë lekë që ishte plani i përcaktuar nga Ministria e Financave, me një tejkalim prej 369 milionë lekësh ose 0.4 për qind", - bënë të ditur burimet nga DPD-ja. Krahasuar me realizimin faktik të të ardhurave për të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-tetor 2007), rritja është 14 për qind ose 10 miliardë e 636 milionë lekë më shumë. Vetëm gjatë muajit tetor 2008 u arkëtuan në buxhetin e shtetit 9 miliardë e 849 milionë lekë ose 18 milionë lekë më shumë se plani i përcaktuar nga Ministria e Financave.

Shqipëri-Greqi, zhvillohet forumi i dytë për marrëdhëniet tregtaro-ekonomike

Forumi Ekonomik për Përparimin e Marrëdhënieve Ekonomike dhe Tregtare Greko- Shqiptare do të nisë punimet në Tiranë ditën e enjte, më 20 nëntor 2008. Ai organizohet për herë të dytë nga Zyra për Çështje Ekonomike dhe Tregtare e Ambasadës Greke në Tiranë dhe do të përqendrohet në investimet dhe përmirësimin e infrastrukturës. Oratorët kryesorë do të jenë: ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i Shqipërisë Genc Ruli dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi. Nga ana greke do të jetë i pranishëm zëvendëssekretari i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare i Ministrisë së Jashtme Greke, Tachiaos. Punimet e Forumit do të hapen me një koncert në Akademinë e Arteve, ditën e mërkurë, më 19 nëntor, ora 19:00, i cili organizohet në bashkëpunim me Dhomën Tregtare Greko-Shqiptare.

Këshilli i Kontabiliteteve diskuton standardet

Në një mbledhje të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit u disktuan standardet dhe legjislacioni në ndihmë të bizneseve të mëdha dhe të mesme. Jorgji Bollano, si kryetar i këtij këshilli, kërkoi angazhim të njësive ekonomike dhe organizmave profesionalë e shtetërorë. Ndërkaq këshilltari i kryeministrit për Ekonominë Petraq Milo dhe moderatori i këtij organizmi Sherefedin Shehu u shprehën për një realizim të standardeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Qëllimi i këtij takimi u përqendrua në analizën ligjore të objekteve ekonomike private në lidhje me institucionet shtetërore.

19 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›