E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurakuqi: ”Nuk ka përçarje në PDK”

Kryesia e Partisë Demokristiane është mbledhur ditën e djeshme dhe ka marrë vendime mbi qëndrimet politike që Partia Demokristiane do të mbajë për problemet aktuale dhe reformat e nisura. Jashtë rendit të ditës, në mbledhje foli edhe anëtari i Kryesisë, Anton Gurakuqi, i cili, duke vlerësuar parimet demokratike dhe qytetare të zhvillimit të debatit politik në PDK, hodhi poshtë të gjitha spekulimet mediatike lidhur me qëndrimet e tij politike ndaj PDK-së dhe lidershipit të saj. “Në PDK nuk ka grupazhe dhe as kërkesa për mocione e kongres të jashtëzakonshëm dhe mbështes pa rezerva politikat zyrtare të ndjekura nga kryetari dhe kryesia e partisë”, - tha zëvendësministri i Jashtëm, Gurakuqi. Përsa i përket reformës zgjedhore, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se demokristianët janë të interesuar vetëm për mbrojtjen e votës së lirë. “PDK përkrah çdo sistem që garanton votën e lirë të qytetarëve, që eliminon skemat manipuluese dhe merr në konsideratë çdo votë të dhënë për partitë politike. Reforma nuk mund të jetë më monopol i dy partive të mëdha dhe maxhoranca duhet të mbajë një qëndrim të saj konsensual në bisedimet me opozitën, për të gjetur më pas një zgjidhje të pranueshme për të gjithë”, - tha Ndoka. Të pranishmit, në mënyrë unanime ndanë të njëjtat vlerësime për frymën bashkëpunuese dhe demokratike në të gjitha strukturat e PDK-së, si dhe evidentuan mbështetjen në rritje të elektoratit, të opinionit publik dhe të partnerëve ndërkombëtarë ndaj qëndrimeve politike dhe aktivitetit politik të PDK-së.

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›