E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me ministrin Fatmir Limaj

Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij, ditën e djeshme, gjatë pasdites, një delegacion me zyrtarë të lartë të Kosovës, të kryesuar nga ministri i Transporteve Fatmir Limaj, si dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetar i grupit parlamentar, Lutfi Haziri. Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se këto ditë sytë dhe mendjet e shqiptarëve dhe të mbarë botës janë drejtuar në Prishtinë dhe në Kosovë. Ai tha njëkohësisht se po ndjek me shumë vëmendje masat që po ndërmerren për një festim sa më të qytetëruar, dinjitoz dhe të vetëpërmbajtur të kësaj ngjarjeje të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë rajonin. Sipas Berishës, Shqipëria ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian dhe është e vendosur që në bashkëpunim me to të përcaktojë të gjitha qëndrimet në interesin më të mirë të Kosovës së pavarur. Kryeministri Berisha përcolli përshëndetjet më të përzemërta për Presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Njëkohësisht, edhe përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës i përcollën kryeministrit Berisha përshëndetjet më të ngrohta nga Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi

15 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›