Ligji i përgjimeve, qeveria shkeli ligjin e Policisë së Shtetit
Projektligji i propozuar nga qeveria “Berisha” bie në kundërshti serioze me Ligjin e miratuar “Për Policinë e Shtetit”
Shaban Sulçe
Ligji i ri për përgjimet, i propozuar kohët e fundit nga qeveria, përmban një vakuum që pritet të shkaktojë amulli dhe probleme serioze për një çështje mjaft delikate, si ajo e përgjimeve.
Gjithçka duket se ka marrë shkas nga përplasja që ky projektligj (që synonte përfshirjen e Policisë në çështjen e përgjimeve) ka me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, të miratuar në qershor të vitit të kaluar. Teksa propozimet e bëra nga qeveria për ndryshime në Ligjin për “Përgjimin e Telekomunikimeve” ia adresonin të drejtën për të kërkuar përgjim vetëm ministrit të Brendshëm, ligji i Policisë së Shtetit ia njeh këtë të drejtë një numri jo të vogël të vartësve të tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kryeprokuroren e Përgjithshme, e cila, sipas qeverisë, do të kishte kontrollin ekskluziv të përgjimeve. Por përplasja me Ligjin për “Policinë e Shtetit” do të shkaktojë mungesën e përcaktimit të qartë se cilët funksionarë të institucionit të Prokurorisë do të kenë të drejtën të miratojnë kërkesat e bëra nga Policia për realizimin e përgjimeve. Konkluzioni është shumë i qartë: Nisma ligjore e Këshillit të Ministrave pritet të shkaktojë përplasje dhe mosmarrëveshje institucionale midis Policisë dhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
Të gjitha këto çështje janë ngritur me shqetësim nga anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për Përgjimet, në mbledhjen e fundit të tij, ku mësohet se ka pasur debate të ashpra. Deputetët anëtarë kanë pasur rezerva të mëdha ndaj projektligjit të propozuar nga qeveria dhe kanë paralajmëruar pasoja të dëmshme si rezultat i defekteve që përmban ai si dhe kundërshtisë që has me Ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Madje, burime konfidenciale pranë këtij komisioni bëjnë të ditur se një pjesë e mirë e tyre kanë shprehur kërkesën për rishikimin e ligjit për përgjimin e telekomunikimeve, të propozuar nga qeveria “Berisha”.
Kundërshtia e ligjeve
Çështja kryesore që i ka shqetësuar anëtarët e Komisionit Hetimor për Përgjimet ka qenë ajo e përplasjes midis propozimeve për Ligjin “Për Përgjimin e Telekomunikimeve” dhe Ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Teksa neni 8 i Ligjit “Për përgjimet” parashikon dhënien e së drejtës për përgjim vetëm katër subjekteve, drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Drejtësisë, të cilët duhet t’i bëjnë kërkesë prokurorit të Përgjithshëm, e drejta për të përgjuar pothuajse del “jashtë kontrollit” në nenin 116 të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Konkretisht, ky nen parashikon se të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, që kanë gradën “Drejtues”, ose më lart, sipas juridiksionit lëndor ka të drejtën t’i bëjë kërkesë prokurorit për përgjimin e fshehtë të bisedave të një personi në vende publike, si dhe përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të një personi në përputhje me legjislacionin përkatës. Sipas anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar për Përgjimet, kjo kundërshti e ligjeve nuk përcakton qartë se cilët funksionarë shtetërorë do të kenë të drejtën të bëjnë kërkesat për përgjim.
Përgjimet në shumë duar
Në rast të miratimit të variantit të parashikuar në Ligjin numër 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, kreu II “Masat speciale”, neni 116, ajo që mund të thuhet është se përgjimet do të “ç’monopolizohen” dhe do të kalojnë në shumë duar. Përveç katër funksionarëve të lartë shtetërorë si drejtori i SHISH-it, ministri i Rendit, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Drejtësisë, përgjimet do të jenë kompetencë e më shumë se 20
funksioneve të Policisë së Shtetit. Por numri i punonjësve të Policisë që do të kenë të drejtë të përgjojnë do të jetë më i madh, pasi shumë nga këto funksione kanë në përbërje më shumë se një titullar. Funksionet të cilave u njihet e drejta për të përgjuar në “Policinë e Shtetit” janë: drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, drejtori i Akademisë së Policisë, drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, shefi i Zyrës Ndihmëse, drejtori i Qendrës së Përpunimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave. Lista me gradën “Drejtues” të Policisë së Shtetit vijon më pas me funksionet e shefit të Sektorit dhe shefit të Zyrës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të Shtetit, shefit të Sektorit në Institutin e Policisë Shkencore, shefit të Sektorit në Akademinë e Policisë, zëvendësdrejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Qarkut, drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, shefit të Zyrës së Interpolit në Tiranë, shefit të Qendrës Antitrafik, specialistit në Seksionin e Menaxhimit të nivelit të mesëm e të lartë drejtues në Akademinë e Policisë, si dhe specialistit dhe asistentit pranë zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit.
Funksionarët e Policisë që kanë të drejtë të përgjojnë
1- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
2- Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë
3- Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
4- Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut
5- Drejtori i Akademisë së Policisë
6- Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore
7- Shefi i Zyrës Ndihmëse
8- Drejtori i Qendrës së Përpunimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave
9- Shefi i Sektorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të Shtetit
10- Shefi i Zyrës në Drejtorinë e Përgjithshme të
Policisë të Shtetit
11- Shefi i Sektorit në Institutin e Policisë Shkencore
12- Shefi i Sektorit në Akademinë e Policisë
13- Zëvendësdrejtori në Drejtorinë e Përgjithshme të Qarkut
14- Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit
15- Shefi i Zyrës së Interpolit në Tiranë
16- Shefi i Qendrës Antitrafik
17- Specialisti në Seksionin e Menaxhimit të nivelit të mesëm e të lartë drejtues në Akademinë e Policisë
18- Specialisti pranë zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit
19- Asistenti pranë zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit
15 Shkurt 2008