E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, FMN kërkon rritjen e mëtejshme të tarifave

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) nuk shprehet optimist për zgjidhjen e krizës energjetike, për aq kohë sa KESH-i e shet nënçmimin e kostos. Edhe pse në mars, ERE miratoi rritjen e re të tarifave të energjisë elektrike, ato nuk garantojnë një performancë pozitive financiare për korporatën, e cila është e angazhuar të rrisë arkëtimet dhe të ulë humbjet në rrjet. Deklarata erdhi nga zv/drejtori i përgjithshëm i FMN-së, Murilo Portugal, sipas të cilit, "rritja e tarifave në mars ishte një element fillestar i rëndësishëm, por përpjekje të tjera janë të nevojshme për të frenuar humbjet gati fiskale të sektorit, si dhe për të përmirësuar shanset për një privatizim të suksesshëm të kompanisë së shpërndarjes, që synohet për 2008-ën, si dhe për të siguruar furnizim të sigurt me energji në afatin e mesëm". Për sa i përket sektorit bankar, FMN-ja shprehet se, është e rëndësishme që kapaciteti rregullativ dhe i mbikëqyrjes duhet të vazhdojë të përmirësohet në linjë me maturimin e shpejtë të tregjeve financiare. "Kuadri aktual i politikës monetare, i bazuar në një bankë qendrore të pavarur, me një kurs këmbimi të luhatshëm lirisht, i ka shërbyer mirë ekonomisë dhe mbetet i përshtatshëm", tha Portugal. Lidhur me shpenzimet qeveritare, FMN-ja e ka vënë theksin te deficiti buxhetor, i cili duhet mbajtur nën kontroll, edhe pse qeveria ka premtuar uljen e saj me 4% të PBB-së në 2009-ën. "Por kjo duhet të sigurojë një garanci të besueshme për politikën fiskale, në afatin e mesëm dhe të japë siguri shtesë se trajektorja në rënie e borxhit publik do të ruhet", vijon Portugal. Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi javën e shkuar rishikimin e katërt të performancës ekonomike dhe garancive financiare të Shqipërisë në kuadrin e marrëveshjes trevjeçare të Fondit të Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike (PRGF) dhe marrëveshjes së Fondit të Përgjithshëm (EFF). Përfundimi i rishikimit mundëson lëvrimin e shumës prej 4 milionë USD, duke e çuar totalin e lëvrimeve për Shqipërinë në kuadrin e të dyja marrëveshjeve (PRGF dhe EFF) në 20 milionë USD.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›